Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se synimi i Serbisë është që të marrë territor nga Kosova.
Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ajo ka theksuar se sa më i largët që bëhet ky synim i Serbisë, aq më të dhunshme janë metodat e saj, transmeton Fol Drejt.
“Kosova është dhe do të jetë e rrezikuar përderisa Serbia udhëhiqet nga njerëz që akoma vazhdojnë ta kenë mentalitetin e viteve të 90-ta, është një lloj vazhdimësie e mentalitetit të Millosheviqit për fat të keq”.
“Vuçiq, Vulin, Daçiq dhe shumë bashkëpunëtorë të tyre të cilët edhe kanë punuar me Millosheviqin e fatkeqësisht kurrë nuk e kanë krijuar një lloj ndarje nga ajo e kaluar e hidhur e shtetit të tyre dhe në njëfare mënyre po e mbajnë të tërë rajonin nën tension”.
“Në anën tjetër, përtej çështjes së mentalitetit, duhet ta themi shumë qartë sepse e dimë që të gjithë, Serbia ka pretendime të qarta territoriale në raport me Kosovës, ata dëshirojnë të gllabërojnë tokë Kosove dhe sa më larg e shohin këtë synim, aq më të dhunshëm bëhen”.
Sipas saj, presidenti i Serbisë është duke e vërejtur se as në dialog në Bruksel dhe as nëpërmjet strategjive të mbrapshta nuk po arrin të marr territor Kosove.
“Kjo është krejt esenca e asaj që po ngjan këto ditë, Vuçiqi është duke e parë as në dialog në Bruksel e as nëpërmjet strategjive të tij të mbrapshta nuk mund të arrijë që të marr territor Kosove”.
“Ky është synimi i vazhdueshëm i Serbisë dhe kur po e sheh që po largohet një synim i tillë, atëherë po zgjedh mjete shumë më të dhunshme sesa që ka zgjedhur në të kaluarën”.