Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka pritur në takim deputetin e Parlamentit të Ukrainës, njëherësh anëtarin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Oleksiy Goncharenko, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.
Gjatë këtij takimi, presidentja Osmani ka bërë të qartë përkrahjen e Kosovës ndaj Ukrainës që prej fillimit të agresionit rus.
Në komunikatën për media, thuhet se presidentja ka potencuar që Kosova prej fillimit të agresionit të Rusisë është në anën e BE-së, ShBA-së dhe vendeve demokratike duke iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë.
“Deputeti Goncharenko e njoftoj Presidenten se në Parlamentin e Ukrainës është krijuar grupi i deputetëve “Miqtë e Kosovës”, të cilët do të shërbejnë si platformë për thellimin e bashkëpunimin parlamentar mes dy vendeve. Deputeti Goncharenko shprehu mbështetjen e tij për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe se do të angazhohet në zgjerimin e mbështetjes për Kosovën brenda Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës” – bëhet e ditur tutje në komunikatë./FolDrejt/