Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, u takua sot me kryetaren e Provincës së Kozencës, znj. Rosaria Succurro, me të cilën bisedoi për raportet ekonomike, politike e kulturore mes komunave të ndryshme të Kosovës dhe Kozencës. Presidentja theksoi se është shumë e rëndësishme që të krijohen mundësi të reja të bashkëpunimit mes bizneseve tona, institucioneve kulturore dhe operatorëve turistikë.
Në Kozencë gjenden 21 komuna arbëreshe ku vazhdon të ruhet tradita, kultura dhe tradita kombëtare për pothuaj gjashtë shekuj. Në Kozencë gjenden thesare shumë të rëndësishme, siç janë dorëshkrimet e rilindësit Jeronim De Rada, të cilat ndodhen në Bibliotekën e Qytetit të Kozencës dhe gjetiu në Kalabri.
“Digjitalizimi i dorëshkrimeve letrare shqipe të shekullit XIX është pasuri e cila duhet t’u ofrohet studiuesve dhe gjeneratave të reja”, tha Presidentja Osmani.
Sich njofton Presidenca, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi një takim edhe me kryetarët e komunave arbëreshe të Provincës së Kozencës. Presidentja i falënderoi ata për përkushtimin e pashoq për kultivimin e gjuhës, kulturës dhe traditave arbëreshe, si pjesë e të rëndësishme e kulturës dhe identitetit shqiptar, transmeton Fol Drejt.
“Ne duam të punojmë së bashku me ju për identifikimin e mundësive për realizimin e projekteve të përbashkëta për ruajtjen, kultivimin dhe përparimin e mëtejmë të traditave tuaja kulturore e gjuhësore”, tha Presidentja.
Presidentja rikujtoi rolin e jashtëzakonshëm, të cilin arbëreshët e kanë luajtur përgjatë historisë në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kulturor e politik të shqiptarëve.
Më tej, Presidentja çmoi mënyrën se si arbëreshët kanë krijuar model të vyer për gjithë mërgimtarët se si, duke u integruar në jetën e vendit mikpritës, i kanë kultivuar e ruajtur traditat e veta, duke u shndërruar në qytetarë të suksesshëm të vendit, por edhe kontribuues për kulturën e të parëve.
“Ju i keni dhënë kulturës e trungut etnik, por edhe vendit mikpritës, Italisë, ngjyrat e një kulture të veçantë, e cila është pasuri e vendit dhe e kulturës prej nga vini, por edhe e vendit i cili ju mirëpriti”, tha Presidentja Osmani.
Më tej, Presidentja e shtroi mundësinë e hartimit dhe të realizimit të projekteve për ruajtjen e trashëgimisë gjuhësore e traditave kulturore, nëpërmjet regjistrimit e botimit të kujtesës gojore.
“Rënia e ngadaltë e përdorimit te gjuhës shqipe te brezat e rinj dhe zvogëlimi i popullatës, për shkak migrimit, është sfidë me të cilën ballafaqohen shumë vende, përfshirë edhe rajonet në të cilat jetojnë arbëreshët. Prandaj duhen politika të qarta promovuese”, tha Presidentja.
Ajo nënvizoi domosdoshmërinë e shtrirjes së bashkëpunimit, hartimin e itinerareve turistike dhe shkëmbimeve kulturore, për ta ruajtur lidhjen me tokën e të parëve. Ajo e çmoi bashkëpunimin e komunave arbëreshe, të cilat tashmë janë binjakëzuar me disa komuna të Kosovës.