Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 24-vjetorin e masakrës së Krushës së Madhe, duke u shprehur se teksa kujtohet kjo “ditë tmerri, plagët e Krushës së Madhe janë ende të hapura”.
“Është vështirë të gjenden fjalë për të përshkruar dhimbjen që e kaplon gjithë popullin e Kosovës, por në veçanti familjet e Krushës së Madhe dhe të fshatërave përreth, ku sikurse çdo vit ne i përkujtojmë 241 burra e djem, 7 fëmijë e 5 gra, në mesin e cilave njëra shtatzënë, të vrarë mizorisht në mënyrën më makabre nga regjimi gjenocidal i Serbisë”, ka thënë presidentja Osmani.
“Teksa kujtojmë këtë ditë tmerri, plagët e Krushës së Madhe janë ende të hapura, prej më tepër se 20 vjetësh, fati intelektualit Ukshin Hoti ende mbetet i pazbardhur, i tillë mbetet edhe fati i 64 banorëve të Krushës së Madhe të cilët ende figurojnë në listat e të zhdukurve me dhunë”, ka shtuar Osmani tutje.
Mes tjerash, Osmani ka përmendur edhe se ende kërkohet drejtësia e munguar, se krimet e luftës asnjëherë nuk tjetërsohen dhe se nuk do të ndalen së kërkuari që autorët të vihen para drejtësisë dhe që fati i Ukshin Hotit bashkë me krushjanët e tjerë të zbardhet.
“Zemrat e coptuara të nënave, grave, motrave e të fëmijëve të krushjanëve ende kërkojnë drejtësinë e munguar. Krimet e luftës asnjëherë nuk vjetërsohen, njësoj sikurse edhe gjenocidi që kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar, ndaj sot dhe gjithnjë nuk do ndalemi së kërkuari që autorët të vihen para drejtësisë dhe që fati i patriotit të madh Ukshin Hotit dhe i të gjithë krushjanëve të tjerë të zbardhet”, ka shtuar më tej presidentja Osmani./FolDrejt/