Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur pas përfundimit të samitit të Brdo-Brionit, ku tregoi se si u fol në këtë samit për liberalizmin e vizave për Kosovën.
Ajo tha se aktualisht nuk ka vend në BE që deklarohet kundër liberalizimit të vizave.
“Ne jemi vend në Ballkanin Perëndimor që jemi plotësisht në përputhje me aspiratat e BE-së. Është koha që sa më shumë BE-ja të ketë në Ballkanin Perëndimor aq më shumë paqe e siguri do të ketë paqe e siguri në rajonin tonë e pastaj edhe në të gjithë kontinentin evropian”.
“Gjashtë pikat e deklaratës, që është miratuar njëzëri sot, përfshijnë edhe liberalizimin e vizave për Kosovën. Siç e dini, Kosova mbetët i vetmi vend në rajonin tonë që nuk e ka këtë liberalizim dhe nuk pati askush në këtë takim që e refuzoi këtë, përkundrazi, por duhet kuptuar që jo të gjitha vendet e Ballkanin Perëndimor marrin pjesë në takimet ku merren këto vendime, kusht ky që përfundimisht do të jetë përfundim për Këshillin e Bashkimit Evropian që do të mbahet së shpejti në Republikën Çeke, që është vendi që e mban presidencën e KE-së. Nuk ka vend në BE aktualisht që na thotë se janë kundër liberalizimit të vizave”, u shpreh ajo.
Tutje, presidentja u shpreh se në Brdo-Brion të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor folën njëzëri për liberalizimin e vizave për Kosovë, përcjell Klankosova.tv.
“Është me rëndësi që të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe Kroacinë dhe Slloveninë si anëtare të BE-së në procesin e Brdo-Brionit, flasin me një zë kur përmendet liberalizimi i vizave për Kosovën.”
“Kosova do të qëndrojë si anëtare e barabartë e BE-së. Dua të theksoj rolin e rëndësishëm që procesi i Brdo-Brionit vazhdon të ketë dhe përafrimin tonë me BE-në. Nuk ka vend në BE që na thotë se janë kundër liberalizimit, momentumi është i duhuri. Kosova ka zgjedhur rrugëtimin euroatlantik dhe këtë e kemi bërë me vetëdije. Në fund të vitit do të aplikojmë për status kandidature”, deklaroi Osmani para mediave, duke shtuar se Kosova e meriton statusin e vendit kandidat, sa më shpejt që është e mundur”, u shpreh ajo.