Kanë kaluar plotë 47 ditë prejse Zyra e Presidentes, e ka pranuar propozimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për emërimin e Blerim Isufajt si Kryeprokuror të Shtetit.
Që nga pranimi i këtij propozimi më 8 prill, duke e ditur rëndësinë e këtij procesi dhe zhurmën e krijuar me emërimin e Isufajt nga Zyra e Presidentes, Vjosa Osmani, u tha se po shqyrtohen dhe analizohet dokumentacionin i pranuar, si dhe të gjitha faktet dhe rrethanat që lidhen me këtë proces.
“Duke ditur rëndësinë e këtij procesi, Zyra e Presidentes ka filluar të shqyrtojë dhe analizojë në detaje të gjithë dokumentacionin e pranuar, të gjitha faktet dhe rrethanat që ndërlidhen me këtë proces. Presidentja është në komunikim me palët e interesit dhe në ditët ne vijim do të takohet me përfaqësuesit e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes se Kryeprokurorit për të dëgjuar vërejtjet e tyre mbi mbarëvajtjen e këtij procesi”.
“Presidentja nënvizon se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit duhet të jetë kredibil dhe me integritet të plotë për të siguruar që besimi i qytetarëve ndaj Prokurorisë se Shtetit nuk dëmtohet. Po ashtu, Presidentja ka theksuar se kandidati i propozuar duhet të plotësoj gjitha kërkesat ligjore, duke përfshirë edhe atë të integritetit. Për veprimet e mëtutjeshme, mediat dhe opinioni publik do të njoftohet me kohë”, pati thënë për Klankosova.tv, Bekim Kupina, këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani.
Mirëpo, që nga ajo ditë askush nga Zyra e Presidentes, nuk dha përgjigje se deri ku ka arritur ky proces dhe kur pritet emërimi i Kryeprokurorit të Shtetit, edhe pse Klankosova.tv ka dërguar disa herë pyetje tek këshilltarët e Osmanit.
Avokatët thonë se mosemërimi i Kryeprokurorit të Shtetit ka ndikim më madh në luftën kundër krimit, teksa shtojnë se koha e Presidentes për të marrë vendim ka kaluar kufijtë.
Avokati, Arlind Fetahu, për Klankosova.tv thotë se çdo vonesë nga ana e presidentes shkon në dëm të këtij institucioni dhe se kjo pozitë nuk duhet të mbetet me ushtrues detyre.
“Duke marrë në konsideratë rolin kyç të Kryeprokurorit të Shtetit, i cili kryeson njërin nga institucionet e pavarura me autoritet dhe përgjegjësi për ndjekjen penale, nuk ka dyshim që çdo vonesë në emërimin e tij nga ana e Presidentes, është në dëm të këtij institucioni, për shkak se tashmë kjo pozitë mbahet nga një ushtrues detyre. Pra deri më tani do duhej të kishim një vendim, kur dihen kompetencat e tij, konform nenit 11 të Ligjit Nr.03/L-225 për Prokurorinë e Shtetit”.
“Konform nenit 109 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili parasheh se: “Kryeprokurori i Shtetit emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, në bazë të propozimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Mandati i Kryeprokurorit të Shtetit është shtatëvjeçar, pa mundësi riemërimi,” nuk ekziston ndonjë afat kushtetues apo ligjor brenda së cilit, nga momenti i pranimit të propozimit nga KPK-ja me emrin e Kryeprokurorit të ri, duhet ta emërojë atë Presidentja e Kosovës”.
“Sidoqoftë, duke qenë se tanimë gjendemi në këtë pozitë, është mese e nevojshme që të veprohet me shpejtësi lidhur me përfundimin e procedurave për mandatimin e Kryeprokurorit të ri, pasi që vendi nuk mund të lihet në pozitë të tillë, ku një institucion me kompetenca kyçe në sistemin e drejtësisë, të mbetet me ushtrues detyre” tha Fetahu.
Ndonëse nuk ka afat ligjor, avokati Arbër Jashari, vlerëson se presidentja duhet që të shmang zvarritjen e pajustifikueshme për emërim.
“Kushtetuta e as ligji, nuk e ka paraparë ndonjë afat i cili do ta obligonte Presidenten e Republikës së Kosovës, ta dekretoi Kryeprokurorin e Shtetit. Gjithsesi, presidentja si garantuese e funksionimit kushtetues të institucioneve, e ka për detyrë që secilën kërkese të kësaj natyre, ta trajtojë me përgjegjësi të lartë, brenda një afati sa më të shkurtër, duke shmangur zvarritjet e pajustifikueshme”.
“Ndonëse KPK-ja ka caktuar një ushtrues detyre në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, mosemërimi do të ndikoj dukshëm në performacen e prokurorive dhe nëse vazhdon gjatë dhe mund të ketë pasoja në luftimin e krimit” tha Jashari për Klankosova.tv.
Avokati, Besnik Berisha, për Klankosova.tv thotë se ndonëse nuk është paraparë në mënyrë eksplicite afati maksimal ligjor apo kushtetues për dekretim, Presidentja duhet të veprojë me nguti të posaçme për t’ia hap rrugën e organizimit dhe funksionimit të pavarur Sistemit Prokurorial.
“Zvarritja e dekretimit të Kryeprokurorit të Shtetit përveçse nuk i kontribuon luftës kundër krimit, e cila duhet të jetë prioritet i të gjitha prioriteteve për secilin institucion, nuk i kontribuon as funksionimit të mirëfilltë të sistemit prokurorial në Kosovë. Periudha e kaluar nga dita e dorëzimit për dekretim të emrit të kandidatit për Kryeprokuror, Blerim Isufajt, tashmë ka kaluar kufijtë e një afati të arsyeshëm dhe deri më tani do duhej të kishte një vendim nga Presidentja e Kosovës”.
Megjithatë, Berisha thotë se pakënaqësitë e kandidatëve apo personave që kanë vëzhguar procesin e zgjedhjes se Kryeprokurorit të Shtetit nuk mund dhe nuk duhet të adresohen nga Presidentja, por nga Gjykata Kushtetuese.
“Sistemi Prokurorial ka të drejtë ligjore dhe kushtetuese të përzgjedh organet udhëheqëse, përfshirë dhe Kryeprokurorin e Shtetit dhe kjo pavarësi nuk mund te cenohet e as diktohet nga askush. Pakënaqësitë e kandidatëve apo personave që kanë vëzhguar procesin e zgjedhjes se Kryeprokurorit të Shtetit nuk mund dhe nuk duhet të adresohen nga Presidentja, por nga Gjykata Kushtetuese nëse veç ngritën dhe për këtë plotësohen kushtet ligjore”.
Tutje, avokati Berisha vlerëson se e gjithë kjo vonesë në dekretim mund edhe të interpretohet si favorizim i dikujt.
“Vonesa në dekretim mund te interpretohet si favorizim i dikujt që s’ka arrit të kualifikohet suksesshëm dhe diskriminim i kandidatit të votuar me konsensus të plotë nga Këshilli Prokurorial” tha Berisha.
Kujtojmë se më 6 prill, Këshilli Prokurorial me 11 vota pro pati nominuar Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit, teksa procesi i përzgjedhjes është përcjellë me reagime të ashpra nga organizatat që e kanë monitoruar këtë proces, ashtu si edhe nga ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë.
Shefi i Zyres së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, u pat shprehur i zhgënjyer nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, teksa pati thënë se BE-ja në vazhdimësi ka thirrur për një proces të drejtë dhe meritor.
“Përkundër thirrjeve të vazhdueshme të Bashkimit Europian për të siguruar një zgjedhje të drejtë transparente dhe të bazuar në merita për Kryeprokuror të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës e përmbylli procesin e përzgjedhjes duke shpërfillë këto parime. Jemi të habitur dhe të zhgënjyer me këto veprime të KPK-së”, shkroi Szunyog në ‘Twitter’.
Ambasadori i ShBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, pati thënë se pritjet e tyre në këtë proces kanë qenë që ai të jetë ” i drejt, objektiv, transparent dhe i bazuar në merita”.
“Fakti që anëtarët e KPK-së nuk i kanë marrë parasysh ankesat legjitime dhe rekomandimet e Panelit Shqyrtues nuk përmbushin këtë standard. SHBA-ja nuk ka pasur një kandidat të preferuar dhe as nuk kemi paragjykuar kualifikimet individuale të kandidatëve”.
“”Ne jemi të shqetësuar me mënyrën KPK-ja ka kryer këto procedura dhe ka dëmtuar besimin e publikut të Kosovës dhe besimin tonë ndaj KPK-së si institucion publik”, pati shkruar Hovenier në Twitter.
Por, edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, pati shprehur zhgënjimin për vendimin e KPK-së, duke thënë se kjo nuk është mënyra e “duhur për të ecur përpara”.
Megjithatë kundërshtimet vazhduan, teksa kundër dolën edhe tri organizata joqeveritare të Kosovës. Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL, i patën kërkuar presidentes së vendit, Vjosa Osmanaj që të mos e dekretojë Isufajn.
“Ky propozim për emërim të Blerim Isufajt si Kryeprokuror i Shtetit bëhet nga Këshilli Prokurorial megjithëse organizatat kyçe të vendit që merren me monitorimin e sistemit të drejtësisë, kishin tërhequr vërejtjen se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit kishte një varg mangësish të cilat cenonin integritetin e procesit”, thuhej në komunikatën e këtyre organizatave.