Në samitin e jashtëzakonshëm të Bashkimit Evropian pas pushtimit rus në Ukrainë – që ka zgjatur deri në orët e hershme të mëngjesit të 25 shkurtit – është diskutuar edhe për nevojën e ruajtjes së stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Sipas burimeve diplomatike një numër i krerëve shtetërorë kanë folur në takim për këtë temë.
Këtë gjë më pas e ka konfirmuar edhe kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq.
“Po, ka qenë temë. Për këtë kam folur unë, ka folur edhe kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Kjo situatë, kur i shihni apelet e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi na rikujton Kroacinë e vitit 1991. Është shumë e ngjashme, por me një dallim, sepse tash kemi të bëjmë me një invasion shumë më të madh pasi Ukraina është edhe shtet shumë më i madh” ka thënë Pllenkoviq.
“Ajo që është e rëndësishme është se duhet pasur kujdes për stabilitetin dhe situatën në Kosovë, në Mal të Zi dhe në Bosnje e Hercegovinë. Këtë porosi e kemi dërguar. Dallimi është se në Kosovë është KFOR-i, në Bosnje e Hercegovinë, Althea (misioni ushtarak i BE-së) i cili tash do të përforcohet. Ne do të vazhdojmë t’ua tërheqim vërejtjen kolegëve tanë që të kenë kujdes që të mos ketë destablizim në Evropën juglindore” ka thënë Pllenkoviq.
Ndërkohë në bllokun evropian janë shtuar zërat që kërkojnë nga Serbia të deklarohet qartë rreth luftës në Ukrainë dhe të mbajë anën e BE-së si një vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Presideti serb, Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar më 24 shkurt se Beogradi ka edhe 36 orë kohë që t’iu përgjigjet kërkesave për harmonizim me vendimin e Bashkimit Evropian për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, shkruan REL.