Blogeri ushtarak rus dhe ish-agjenti i FSB-së, Igor Girkin, i njohur gjithashtu si Igor Strelkov, në një postim në Telegram kritikoi presidentin rus Vladimir Putin për mungesën e qëllimeve dhe strategjisë së tij në luftën kundër Ukrainës.
Për shkak të humbjeve në rritje në fushën e betejës, Putin është i ekspozuar ndaj kritikave nga nacionalistët rusë, të cilët mbështesin idenë e pushtimit të territorit ukrainas, por vënë në dyshim efektivitetin e udhëheqjes ushtarake të Moskës.
Girkin, i cili luajti një rol të madh në aneksimin e Krimesë në vitin 2014, është një zë kryesor në mesin e atyre nacionalistëve rusë. Muajt e fundit ai ka bërë një sërë kritikash të ashpra.
“Qëllimet e luftës nuk janë të përcaktuara,” shkroi Girkin. Ai shtoi se nuk mund të ketë “asnjë strategji” për luftë nëse Putini nuk është i qartë për qëllimet e tij, raporton Newsweek.
Ai beson se mungesa e objektivave dhe strategjisë është arsyeja pse Ukraina ka mundur të arrijë fitoret e fundit.
“Nëse nuk ka strategji, nuk ka punë të ndërgjegjshme për zbatimin e saj. Dhe armiku ka një strategji që në fillim dhe e zbaton me të gjitha forcat e tij”, vijoi ai.
Në një postim të veçantë, Girkin shkroi se ai beson se Rusia së shpejti “do të mposhtet” pasi ushtria e saj “dështoi të mposht armikun fare gjatë fushatës dimër-pranverë”. Ky hap vjen në një kohë kur Ukraina po përgatit një kundërsulm për të rimarrë sa më shumë që të jetë e mundur nga territori i pushtuar, transmeton Fol Drejt.