Zgjatja e grevës gjatë muajit shtator, ka ngritur si çështje diskutimi kompensimin e orëve mësimore.
Në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe Këshilli i Prindërvë, i cili ka shprehur papajtueshmëri që kompensimi i këtyre orëve të bëhet ditëve të shtuna, transmeton Fol Drejt.
“Këshilli i Prindërve vlerëson se prindërit kanë plotësisht të drejtë të reagojnë në këtë mënyrë, për çka edhe kemi paralajmëruar qysh në fillim të grevës. Mësimi të shtunave jo vetëm që nuk i shërben kompensimit të orëve, por ashtu e dëmton edhe procesin mësimor për ditët e tjera të javës, për shkak të lodhjes dhe mërzitjes së fëmijëve”.
“Ne besojmë se kompensimi i orëve të humbura duhet të ishte deleguar në nivel të shkollave, meqë shumica e shkollave në Kosovë nuk e kanë problemin e mbingarkesës me nxënës (pra punojnë me një ndërrim), dhe kompensimi mund të ishte bërë gjatë ditëve të javës. Këshillat drejtues të shkollave do të duhej ta informonin Ministrinë e Arsimit (me qëllim mbikëqyrjeje) për planin e kompensimit (sikurse ka ndodhur me Task Forcat gjatë pandemisë për dy vjet e gjysmë)”, kanë thënë ata.
Tutje, ky Këshill e ka cilësuar si të padrejtë, që fëmijëve t’u merret pushimi pasi që u është mohuar e drejta për arsim.
“Është shumë e padrejtë dhe e papranueshme që fëmijëve tanë, pasi iu mohua e drejta kushtetuese për kujdes, edukim e arsimim, t’iu mohohet tani edhe e drejta për pushim, e mbi këtë edhe e drejta për aktivitete jashtëshkollore. Fëmijët kanë të drejta dhe prindërit obligohemi t’i mbrojmë”./FolDrejt/