Drejtori i Prishtinës, Granit Begolli, dhe ndihmëstrajneri Debatik Curri i kanë reaguar trajnerit të Ballkanit, Ismet Munishit, për deklaratat e tij të fundit nëpër media, duke thënë se trajneri i klubit nga Suhareka është impulsiv dhe se e njohin atë.
Të shtunën në orën 15:00 në kryeqytet, stadiumi “Fadil Vokrri” pritet ta grumbullojë një numër të madh të tifozëve, të cilët kanë shprehur interesim të madh për ta ndjekur nga afër përballjen mes Prishtinës dhe Ballkanit, raporton Gazeta Express.
Kjo pasi që derbi i xhiros së 20-të të Ipko Superligës së Kosovës do t’i përballë mes vete dy konkurrentët për titullin e kampionit të këtij sezoni. Ballkani është lider i Superligës me 40 pikë pas 19 ndeshjeve, e ndjekur nga Prishtina dhe Drita me nga tri pikë më pak dhe Gjilani më pesë pikë më pak, në një garë të nxehtë katërfrontëshe për titull.
Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, e ka ndezur këtë ndeshje edhe më shumë me deklaratat e tij, duke thënë se ai do të shkojë me skuadrën e tij në “Fadil Vokrri” për ta dominuar Prishtinën edhe me 70 për qind të posedimit të topit.
Ndaj këtyre deklaratave kanë reaguar dy përfaqësuar të Prishtinës – ndihmëstrajneri Debatik Curri dhe drejtori Granit Begolli.
“E njohim Ismet Munishin. Por, në këtë ndeshje s’do të ketë posedim të topit 70% – 30%, pasi që asnjëra skuadër nuk është që do ta lejojë kundërshtarin ta mbajë topin e për vete të mbrohet. Por, ne pajtohemi që Ballkani ta mbajë posedimin, e ne ta fitojmë ndeshjen”,tha Curri në emisionin sportiv “Favorit” në T7.
“Mua më habiti Munishi kur tha se i di pikat e dobëta të Prishtinës, le të na i tregojë Agimi [Maliqi, ndihmëstrajneri i Ballkanit] ato tani”.
Agim Maliqi iu përgjigj se do t’ia tregojnëdobësitë në fushën e lojës, ndërsa drejtori i Prishtinës, Granit Begolli, e vazhdoi debatin duke e quajtur impulsiv trajnerin e Ballkanit dhe sugjeroi se ai do të ndëshkohet me karton të kuq.
“Kam qenë lojtar i Ismetit, ia njoh atij deklaratat. Ai është impulsiv dhe e kam një ndjenjë që në fund të ndeshjes, deklaratat do t’i japë Agim Maliqi. Curri u tregua modest, Prishtina synon ta ketë posedimin e topit për 70 për qind”, tha Begolli në emisionin sportiv “Favorit” në T7.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Maliqi, i cili tha se mund t’i sigurojë tifozët që Munishi nuk do të përjashtohet me të kuq. Disa herë gjatë këtij sezoni, Munishi është ndëshkuar me të kuq dhe ka humbur ndeshje shkaku i dënimeve nga Komisioni Displinor i FFK-së. /Gazeta Express/