Është mbajtur në Prishtinë Punëtoria Rajonale për Strategjinë Kundër Korrupsionit me pjesëmarrës përfaqësues nga vendet e ndryshme të Ballkanit Perëndimor.
Kjo punëtori e organizuar nga Lëvizja FOL u zhvillua në kuadër të projektit “Lufta efektive kundër korrupsionit” (ECAC) me synim që të ndahen përvoja dhe ekspertiza kolektive e organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Në këtë punëtori u identifikuan disa nga boshllëqet në luftimin e krimit dhe korrupsionit në nivelin rajonal në mënyrë që të përfitojnë institucionet.
Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në Kosovë, Yll Buleshkaj, tha se organizimi i kësaj tryeze është përshtatur në një kohë të duhur, sepse Kosova është në proces të hartimit të Strategjisë Kombëtare për Korrupsion.
Ai tha se korrupsioni është një sfidë universale që prek të gjitha fushat e shoqërisë. Ai tha se derisa me zhvillimin e hovshëm të teknologjisë paratë mund të transferohen me një klikim, Ballkani ende ka probleme më klasike.
Buleshkaj tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të angazhohen në mënyrë të përkushtuar për t’i përmbushur qëllimet në luftimin e korrupsionit.
“Bashkëpunimi rajonal jo vetëm për vendet tona, por si rajon është kontribuues i madh në rritjen e investitorëve në vendet tona dhe në këtë mënyrë të ngrihet rajoni”, theksoi Buleshkaj.
Drejtoresha e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në Malin e Zi, Jelena Peroviq, tha se kriminaliteti dhe korrupsioni nuk kanë kufij.
Ajo përmendi disa raste kur pasuria e fituar nga mënyra kriminale është provuar të fshihet në mënyra të ndryshme edhe në vendin e saj, në Mal të Zi.
Peroviq tha se në Malin e Zi ka një rrethanë të mirë “sepse agjencionin e kemi lënë si një trup të pavarur që nuk varet nga Qeveria dhe Kuvendi, sepse kjo është një pasqyrë vizionare e ekspertëve të Bashkimit Evropian (BE)”.
“Agjencioni ka buxhet në përqindje nga buxheti i shtetit dhe ne nuk varemi nga Kuvendi dhe Qeveria sepse ne kemi përqindje të garantuar të buxhetit dhe ajo nuk mund të preket dhe kjo është një mënyrë që na është garantuar pavarësia”, theksoi Peroviq.
Kosova në raportin e sivjetmë të organizatës ndërkombëtare Transparency International (TI) të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2022 u radhit në pozitën e 84-të me 41 pikë, apo dy pikë më shumë se viti paraprak.
Për vlerësimin e 180 vendeve dhe territoreve të botës, organizata përdor një shkallë prej zero pikësh deri në 100, ku zeroja tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 një vend shumë të pastër./FolDrejt/