Një emër i një vajze, i shkruar në bankë në një nga klasat e gjimnazit të shkencave natyrore “Xhevdet Doda” në kryeqytet, u bë shkak që një nxënës të theret me thikë në këmbë pas përleshjes me 6 bashkëmoshatarë të shkollës.
Ngjarja ka ndodhur të martën, ndërsa policia ka arrestuar njërin nga gjimnazistët e më pas e ka dërguar në mbajtje, njofton Klan Kosova.
Drejtori i këtij institucioni arsimor, Azem Jaha, i tha Klan Kosovës, përmes telefonit, se është duke diskutuar me Drejtorinë e Arsimit në komunë të Prishtinës, për të marrë një vendim për nxënësit e përfshirë në përleshje, sepse sipas tij, ata janë me nota të mira dhe duhet gjetur një zgjidhje për rastin, nëse mund të ekzistojë mundësia që të mos suspendohen nga shkolla.
Vetë shokët e të përleshurve u shprehën të habitur për ngjarjen sepse, sipas tyre, një rast i tillë ka ndodhë për herë të parë në gjeneratën e tyre.