Policia e Kosovës njoftoi se pas kontrolleve në tre lokacione në Prishtinë ka sekuestruar armë dhe municione, shkruan Fol Drejt.
“Prishtinë, 18 maj 2023 – Policia e rajonit të Prishtinës me qëllim të garantimit dhe ruajtjes së rendit e qetësisë publike si dhe parandalimit të akteve kriminale, ka organizuar punën e saj në të gjitha nivelet e stacioneve dhe njësive për krijimin e rrethanave të sigurta për të gjithë qytetarët e vendit.”, shkruan në komunikatën e policisë.
Policia njoftoi se në kuadër të punës parandaluese janë ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore dhe operative të cilat në veçanti kanë rezultuar me gjetjen e armëve dhe municioneve si dhe identifikimin e poseduesve të tyre.
Në këtë drejtim, dje dhe sot në tri lokacione të ndryshme në Prishtinë, pas disa kontrolleve të ushtruara ndaj disa veturave dhe personave të dyshuar, policia ka arritur të gjejë dhe të sekuestrojë:
· Një revole të tipit TT, e kalibrit 7.62 mm,
· Një revole të tipit BERETTA, e kalibrit 9 mm,
· Një revole të tipit Ecol aras, (armë me gaz) e kalibrit 9 mm,
· Një revole të tipit Ecol voltran tuna, (armë me gaz) e kalibrit 6 mm,
· Tridhjetetre copë fishekë të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm,
· Një thikë, si dhe
· Një jelek antiplumb.
Të dyshuarit janë shoqëruar në stacionet përkatëse policore dhe ndaj tyre në konsultim me prokurorin e shtetit, policia ka iniciuar hetim në drejtim të veprës penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armës” dhe të njëjtit i ka proceduar më tutje. /FolDrejt/