Gjykata Themelore në Prishtinë, do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj të akuzuarit Kadri Sheqiri, pasi që i njëjti mungoi në seancën e së mërkurës në rastin e 400 kilogramëve kokainë të ardhur nga Brazili.
Në këtë rast, të akuzuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), janë Izet Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Brahimi, Kadri Sheqiri dhe Fehmi Bytyqi.
Lidhur me mungesën e të akuzuarit Sheqiri, mbrojtësi i tij Xhafer Maliqi deklaroi se sot disa herë ka tentuar të komunikojë me të përmes telefonit, mirëpo sipas tij telefoni i të njëjtit nuk ka qasje.
“Unë nuk mujta me kontaktu as sot në telefon me to, provova 10 herë por telefoni i tij nuk ka qasje”, tha Maliqi.
Avokati tha se dje ka komunikuar në telefon me klientin e tij, por që sipas tij ka ardhë në përfundim që diçka nuk është në rregull me të dhe i ka thënë që të paraqitet sot në gjykatë.
“Sa i përket mungesës së sotme, unë kam kontaktuar personalisht me telefon ditën e djeshme dhe nga biseda kam konkluduar që diçka nuk është në rregull me të dhe në kontest me këtë “e kam urdhëruar” që të paraqitet në ora 9:15 në gjykatë, por që sot nuk prezanton”, tha avokati Maliqi.
Po ashtu, avokati Maliqi tha se sot ka komunikuar edhe me djalin e të akuzuarit Kadri Sheqiri, e që i njëjti ka deklaruar se nuk është në dijeni se ku gjendet babai i tij.
Avokati Maliqi, gjithashtu deklaroi se që nga dita e parë e angazhimit të tij në këtë çështje penale, ka vërejtur një sjellje devijante dhe një labilitet të shfaqur të klientit të tij.
Andaj, në këto rrethana, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Musa Konxheli tha se për të njëjtit do të lëshohet urdhëresë për sjelle me detyrim dhe gjithashtu do të shqyrtohet edhe mundësia për mbajtjen e gjykimit në mungesë.
Në mungesë të kushteve ligjore, seanca e sotme u shty, ndërsa e radhës pritet të mbahet më 16 tetor 2023.
Ndryshe, të akuzuarit Izet Sheqiri, Kadri Ibrahimi dhe Faton Vrajolli gjenden nën masën e paraburgimit, kurse i akuzuari Fehmi Bytyqi është nën masën e arrestit shtëpiak, ndërsa i akuzuari Kadri Sheqiri gjendet në liri.
Ndryshe, i akuzuari Hyzri Sheqiri pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë, është dënuar me 7 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale. Kurse, i akuzuari Naim Morina pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie, është dënuar me 6 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale.
Në këtë shqyrtim gjyqësor kishte ndryshuar trupi gjykues, ku gjyqtari Arben Hoti është ndërruar me gjyqtari Valon Kurtaj.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, të akuzuar janë pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe gjashtë të tjerë, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.
Ndryshe, “Betimi për Drejtësi”, ka raportuar ekskluzivisht për dosjen e Prokurorisë lidhur me këtë rast, ku akuzohet pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, si dhe Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.
Në këtë aktakuzë, Prokuroria ka propozuar të konfiskohen 400 kilogramëve kokainë, makina, armë e rreth 26 mijë eurove./BetimipërDrejtësi