Prodhimi industrial i Gjermanisë ra me 0,8 për qind në bazë mujore në gusht, më shumë se parashikimi i tregut, zbuloi autoriteti statistikor i vendit.
Shifra pasoi një rënie prej 0,3 për qind në korrik në mes të vështirësive të dërgesave, sipas Zyrës Federale të Statistikave (Destatis), shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Vlerësimi i tregut ishte një tkurrje prej 0,5 për qind për muajin gusht.
“Prodhimi ndikohet ende nga mungesa ekstreme e produkteve të ndërmjetme. Ndërmarrjet kanë ende vështirësi në plotësimin e porosive të tyre pasi zinxhirët e furnizimit janë ndërprerë për shkak të luftës në Ukrainë dhe vazhdojnë ndryshimet negative që janë shkaktuar nga kriza COVID-19”, tha Destatis në një deklaratë.
Prodhimi i mallrave të ndërmjetëm ra me 2,4 për qind në gusht krahasuar me një muaj më parë.
Në kontrast, prodhimi i mallrave të konsumit dhe mallrave kapitale janë rritur përkatësisht me 1,8 dhe 1,2 për qind.
Në bazë vjetore, prodhimi industrial është ulur me 2,1 për qind nga gushti 2021, treguan të dhënat./FolDrejt/