Që shqiptarët kanë qenë populli më i shtypur në ish-Jugosllavi, këtë e dinë të gjithë. Mirëpo, me vetëdije ose pavetëdije. Me ose pa-dashje, direkt a tërthorazi, jo rrallëherë brenda organizatave joqeveritare dhe taborreve politike ngrihen paralele se mos Kosova Republikë dhe populli i saj i çliruar në disa aspekte qëndronin mirë edhe në kohën e ish-Jugosllavisë. Faktikisht, jo. Dhe as që bëhet fjalë.
Shkruan: Gëzim Olluri
Në skenën mediale, konferenca e simpoziume, ne kemi hasur, parë e dëgjuar se si figura elitare, politike e përgjithësisht publike, e konsiderojnë shoqërinë kosovare të prapambetur, të paedukuar dhe të pashkolluar. Por, po të njëjtit nuk e marrin mundin ta hetojnë të kaluarën e t’i gjurmojnë instrumentet shtypëse që pushteti serb i ka shfrytëzuar ndaj shoqërisë sonë, me një fjalë, të mësojnë për krajatat nëpër të cilat ka kaluar ajo në periudhën e ish-Jugosllavisë. Për këtë arsye kritika pa alternativë e kontribut mbetet asgjë. Sidomos, kur ajo bëhet nga dikush që ka pozita vendimmarrëse dhe nuk e kryen detyrën për çfarë është ngarkuar.
Prandaj, Kosova e pasluftës nuk është shkatërruar sepse ajo fillimisht nuk ishte e ndërtuar që të shkatërrohej. Po, mund të themi me të drejtë që ndërtimi i sistemit që e kemi, nuk ka shkuar për së mbari. Sepse për të qenë i duhuri, duhet të ketë drejtësi dhe barazi. Duhet të ketë shpërndarje të barabartë të pasurisë. Vlerat njerëzore, kredibilitet institucional dhe përgjegjësia publike duhet të jenë në epiqendër të çdo gjëje kundrejt harresës, snobizmit, servilizmit e shpirt-shitjes.
Që të ketë shoqëri tolerante e shtet stabil, duhet filluar nga përgjegjësia individuale për ta niveluar pastaj në kolektivitet. Para se gjithash, duhet vetëdije njerëzore dhe vetëdije shtetërore e kombëtare. Dinjiteti dhe privatësia e njerëzve janë dhe duhet të jenë në radhë të parë, të dytë, të tretë, të katërt dhe vazhdimisht. E kjo gjë nuk ka ndodhur në ish-Jugosllavi. Pushteti jugosllav nuk ka dhënë asgjë për shqiptarët.
Ky shkrim për ish-Jugosllavinë mbështetet në të dhëna e statistika të nxjerra përgjatë kohës së pushtetit jugosllav. Mund të thuhet se statistikat nuk e pasqyrojnë tërësisht gjendjen reale ama është e kundërta. Përtej këtyre të dhënave statistikore fshihen shumë padrejtësi, pabarazi, shtypje, fate njerëzish, e ardhme fëmijësh. Për më shumë, edhe e ardhmja e një gjuhe, vendi e populli.
Nën pushtetin jugosllav, shqiptarët ishin populli më i diferencuar sikurse në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë social e arsimor. Deri në vitet ’70-ta, nuk kishte gjasa as të ideohej krijimi i një bazamenti për një të ardhme të ndritur. Rezistenca dhe demostratat e 1968-ës nga shqiptarët bëri që tek ndërmjet viteve ’70-ta e ’80-ta, të zë fill themelimi i universitetit, akademisë së shkencave, zhvillimi i shkollave me tetë klasa, derisa në anën tjetër qarkullonin edhe mjete të shtypura pa harruar disa botime në gjuhën shqipe. Por kjo nuk mjaftonte sepse gjithçka kontrollohej nga dora e Beogradit.
Kur shqiptarët nuk u nënshtruan nga shtrëngesat përmes varfërisë e skamjes, pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë më 1989, ata u përballën me pushtetin serb, i cili veçse u transferua nga pushteti jugosllav. Kështu, në vitet e ’90-ta, pushteti serb filloi betonimin e një aparteidi për të kaluar në spastrim etnik e luftë gjenocidale.
Kosova e pavarur erdhi nga një luftë shkatërrimtare, kulturocidale dhe gjenocidale, që fillesën e adreson tek administrata serbe në Beograd. Shkurt: luftë e nisur dhe e shkaktuar nga Serbia. Në fakt, Kosova ishte e nëpërkëmbur. Edhe ai pak ndërtim që ishte në ish-Jugosllavi, shërbente si udhë-trasuese për t’u gllabëruar pasuritë shqiptare në favor të Serbisë. Shqiptarët paguheshin sa për të plotësuar nevojat qenësore e pasuria në aspekt të përgjithshëm avullohej drejt vendeve të tjera ish-jugosllave.
Është një frazë që shpesh e keni dëgjuar: Trepça punon e Beogradi ndërton. Pikërisht Trepça shihej si aseti kryesor nga pushteti jugosllav. Fitimi më i madh i saj, depërtonte jashtë Kosovës. Këtë do ta vëreni në paragrafët e mëposhtëm. Infrastruktura rrugore ishte krejt e pazhvilluar. Rrjeti i shkollave dhe institucioneve arsimore gjithashtu. Për institucione kulturore e sportive mos të flasim. Sektori ekonomik e financiar jepnin sa për ta shfrytëzuar potencialin e punëtorëve.
Sot mund të thuash “Kosova Republikë!” pa më të voglin problem, por vetëm 26 vite më parë, për dy fjalët e lartë-shkruara do të përfundoje nën goditjet e kërbaçit në burgjet e policisë serbe. Qeveritë kosovare paslufte mund të kritikohen për shumëçka e për çdo gjë sepse proporcionalisht mund të bënin shumë më shumë. Veçse, qeverisjet e lira të Prishtinës assesi nuk mund të krahasohen me qeveritë fashiste të ish-Jugosllavisë.
Qëllimi i këtij shkrimi nuk është mbajtja e leksioneve historike, sepse kjo merr kohë dhe do zbërthim të thellë. Ndaj, për t’i rënë më shkurt, në krye të herës duhet potencuar se me 28 nëntor 1912 Shqipëria shpalli pavarësinë e saj. Kjo pavarësi u shpall për pjesën më të madhe të katër vilajeteve shqiptare që përmbanin etnikumin dominueshëm shqiptar të asaj që edhe sot njohim si “Shqipëri Etnike”. Mirëpo Konferenca e Londrës, e vitit 1913, krijoi një Shqipëri shumë të cunguar, pak a shume këtë të kufijve të sotëm. Kosova dhe përmbi 50% e trevave shqiptare mbetën jashtë shtetit të sapoformuar shqiptar.
Kështu, politika asimiluese kundër shqiptarëve të Kosovës filloi që nga 1913-a. Duke i shikuar më thellë projektimet e qeverive serbe, ekspansioni serb ka një ravijizim akoma më të gjatë dhe konkretisht nga projekti “Naçertanija” i Ilija Garashaninit në vitin 1844 e deri në vitin 1999. Ky ekspansion përkufizohet në trinitetin: plan, zbatim e luftë. Pra, për 155 vjet, plojë e shtypje çnjerëzore kundër shqiptarëve në pragun e shtëpisë.
Shqiptarët e Kosovës nuk ishin të varfër sepse ish-Jugosllavia nuk ishte e pasur. Por sepse ish-Jugosllavia punonte vazhdimisht që popullata shqiptare të mbetej në varfëri. Të mirat e ish-Jugosllavisë shpërndaheshin tek të gjithë popujt e vendet e tjera, ndërsa për shqiptarët as që mendohej. Shqiptarët konsideroheshin si njerëz të dorës së dytë. Madje, edhe të dorës së tretë. Kështu i jepej krahë ekspansionit serb, spastrimit etnik dhe ndërrimit të demografisë e gjeografisë, rrjedhimisht synohej serbizimi i Kosovës.
Më konkretisht, të kalojmë tek rrjedha kronologjike e “të mirave” që ish-Jugosllavia ua gatuante shqiptarëve të Kosovës, qoftë nga ana financiare, ajo ekonomike, industriale, arsimore apo kulturore. Për këtë, le të mbështetemi tek disa autorë ndërkombëtarë që kanë studiuar e botuar libra për ta zbardhur në detaje të kaluarën e shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Andaj, nuk ka intepretim, mendim e shtrembërim vërtetësie. Ka fakte e të dhëna ashtu siç kanë ndodhur, siç i kanë përjetuar shqiptarët dhe siç i mësojmë ne.
Kronologjia e “privilegjeve” në ish-Jugosllavi
Të dhënat e mëposhtme hapin një dritare për t’i kuptuar benefitet helmuese që i servonte ish-Jugosllavia. Nuk është e domosdoshme të jesh i profilizuar në histori, të kesh një diplomë universiteti apo titullin akademik, që të kuptosh se ish-Jugosllavia ishte një federatë që kryente plojë pa artileri ushtarake. Ajo i pushtonte shqiptarët ekonomikisht, industrialisht e kulturalisht dhe në prapavijë ua zvetënonte identitetin kombëtar para se të t’ua zhbënte të kaluarën historike.
Në krizën jugosllave të viteve 1980, Kosova kishte dy milionë banorë, nga të cilët 90 përqind prej tyre shqiptarë. Kosova ishte qendër e xehetarisë, e prodhimit të rrymës dhe industrisë kimike. Mirëpo, Kosova ishte më e vobekta në ish-Jugosllavi – shprehet Stephen Schwartz në veprën e tij “Kosova, prejardhja e një lufte”.
Jens Reuter në librin e tij “Shqiptarët në Jugosllavi”, i vargëzon një mori të dhënash për përballjen e shqiptarëve kundër pushtetit jugosllav. Të dhënat e tij faktuese janë tregues që sistemi qeverisës i asaj kohe i prekte të gjitha shtresat e popullsisë shqiptare.
Në fushën kulturore, i gjithë territori i Kosovës veçohej nga prapambetja. Më 1919 ekzistonin vetëm tri biblioteka publike me 6000 libra, (të gjitha në gjuhën serbo-kroate), një universitet popullor, pak orkestra, kore e grupe teatrale. Nuk kishte kurfarë institucionesh shkencore të shqiptarëve dhe asnjë shtëpi të vetme botimi që të botonte ndonjë shkrim në gjuhën shqipe. Futja e librave nga Shqipëria ndëshkohej rëndë.
Në kohën e Mbretërisë Jugosllave në Kosovë ka pasur vetëm një ndërmarrje të madhe. Bëhet fjalë për Minierën e plumbit dhe zinkut “Trepça Mines Limited”, e cila asokohe drejtohej nga anglezët. Veç kësaj, kishte vetëm 25 ndërmarrje të vogla, 10 mullinj, 2 fabrika tullash, 2 miniera, 3 fabrika akulli, 5 fabrika tekstili dhe 3 stacione elektrike.
Hidrocentrali i parë në Kosovë u ngrit më 1927 në rrjedhën e Ibrit. Ai i furnizonte banorët e Mitrovicës me energji elektrike. Më parë përdorimi i rrymës elektrike në të gjithë Kosovën ishte i panjohur. Termocentralet u ndërtuan vetëm nga viti 1930 në: Zveçan, Prishtinë, Gjakovë, Gjilan dhe Ferizaj.
Nga pikëvështrimi ekonomik gjendja ishte shumë e rënduar. Duke qenë se çmimet për produkte agrare ishin tejet të ulëta, rrjedhimisht shqiptarët nuk mund të bënin kurfarë kapitali për të zmadhuar pronën a pasurinë. Kjo gjendje i shtyu shqiptarët të punonin në miniera, në punime rrugësh dhe në ekonominë pyjore. Koha e punës për punëtorët në Kosovë ishte 11 orë dhe pagesa sillej mes 11 e 15 dinarë në ditë. Kjo reformë u shkonte në favor autoriteteve serbe sepse qëllimi ishte t’i dëbonin shqiptarët nga toka që posedonin dhe ajo tokë t’iu jepej fshatarëve të rinj që vinin nga Serbia dhe Mali i Zi.
Atë që e kemi shkruar më lart: shtypje çnjerëzore, e shpreh mendësia e ish-kryeministrit të ish-Jugosllavisë – Nikolla Pašić. Pas përfundimit të luftërave ballkanike, ish-kryeministri i ish-Jugosllavisë në periudhën 1919-1926, mendonte që për 20-25 vjet, Serbia duhet ta integronte Kosovën në ekonominë dhe administratën e saj e shqiptarët t’i asimilonte nga pikëpamja kulturore e kombëtare.
Qasjen ekspansioniste të Pašicit, na e rithekson Viktor Meier. Sipas shënimeve të tij në veprën “Fundi i Jugosllavisë, goditja në Kosovë”. Vasa Čubrilović, ishte ministër bujqësie në qeverinë e parë të Josip Broz Titos. Më 1937-ën, projekti i Čubrilovićit quhej “Zbimi i shqiptarëve”, ku pasqyroheshin mënyrat për zhdukjen e shqiptarëve.
Në aspektet ligjore, kushtetuta serbe e 1947-ës dhe statusi i krahinës autonome që u miratua më 1948, nuk sollën kurfarë organizimi të autonomisë, por u akorduan që zhvillimi i Kosovës në të gjitha fushat e rëndësishme të drejtohej nga Beogradi.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët në Kosovë patën për herë të parë gazeta dhe revista në gjuhën shqipe. Botimi i të përjavshmes “Rilindja” nisi botimin më 1945 dhe kohë më vonë botohej dy herë në dy ditë. Edhe kjo pak dritë për shqiptarët e Kosovës, errësohej nga pushteti jugosllav. Gazetarët e Rilindjes gjurmoheshin sistematikisht nga policia dhe merreshin në pyetje. Çdo kush që blente Rilindjen, regjistrohej nga policia e fshehtë dhe futej në kategorinë e elementëve të pasigurt.
Bashkëpunëtorët e revistës letrare “Jeta e Re”, janë dyshuar për irredentizëm dhe janë burgosur. Studentët e fakulteteve të Prishtinës që shfrytëzonin të drejtën e tyre për të marrë mësime në gjuhën shqipe apo për t’i kryer provimet në gjuhën amtare, kategorizoheshin si “të dyshimtë”.
Në dimrin e ashpër të 1955-ës e 1956-ës, policia e UDBA-s kishte nisur fushatë për grumbullimin e armëve të zjarrit që posedoheshin nga popullsia shqiptare. Në shumë raste u arrit deri në vrasje të shqiptarëve nga aksionistët serbë. Një shqiptar që thoshte para policisë që nuk ka armë, detyrohej ta blente një armë në tregun e zi që t’ia dorëzonte policisë.
Kështu, u mblodhën 9000 armë zjarri. Nga ana tjetër, policia në Kosovë kishte hapur 120 mijë dosje për “qytetarët e dyshimtë”. Më shumë se 50 mijë prej tyre kanë kaluar nëpër duart e UDBA-s. Kjo është periudha që njihet si koha e Aleksandar Rankovićit, për shkak të reprezaljeve serbe kundër shqiptarëve në ish-Jugosllavi.
Për të njëjtën kohë shkruan edhe Viktor Meier: “Në dimrin e vitit 1955-1956, policia organizoi në Kosovë pa justifikimin më të vogël dhe nën pretekstin më absurd, një aksion “për mbledhjen e armëve”. Gjatë këtij aksioni u keqtrajtuan mëse 30 mijë shqiptarë, ndërsa rreth 100 shqiptarë u vranë pas arrestimit”.
Më 1975, ndërmarrja më e madhe në Kosovë, ishte kombinati i plumbit dhe zinkut “Trepça” në Mitrovicë. Trepça numëronte mbi 15 mijë punëtorë dhe jepte 70% të prodhimit të përgjithshëm jugosllav në plumb, 66% në argjend dhe 50% në zink. Pavarësisht kësaj, më 1980, nga të 1 milionë e 500 mijë banorët në Kosovë, vetëm një në dhjetë qytetarë kishte një vend pune. Derisa më 1969 kishte 81 të punësuar në 1000 banorë, dhjetë vite më vonë, më 1979, kishte vetëm 107 të punësuar në 1000 banorë. Nga ana tjetër, në pjesët e tjera të Jugosllavisë gjendja ishte përmirësuar nga 183 në 254.
Ndërmjet viteve 1947 dhe 1977, pushteti jugosllav, të gjitha investimet ua kaloi degëve të energjetikës e të metalurgjisë me ngjyra, ndërsa industrisë së përpunimit të metaleve dhe industrisë kimike iu lanë vetëm 8,9%, industrisë tjetër 14,7%, komunikacioneve 11,3% dhe degëve të tjera të ekonomisë 14,7%. Pjesa e të gjitha investimeve prej 58,3% shkoi në kompleksin e ekonomisë energjetike e të metalurgjisë. Kështu në Kosovë u krijua një strukturë e pavolitshme. Një pakicë gjigantësh të industrisë kimike me intensitet kapitali u përkrahën e u favorizuan vazhdimisht. Qëllimi ishte të shfrytëzohen mineralet e Kosovës.
Rrjeti i shkollave ishte krejtësisht i pazhvilluar dhe në mungesë të forcave mësimore. Në fillim të viteve të ’70-ta, Kosova akoma kishte shkolla popullore me katër klasa. Në vitin shkollor 1963-1964, ishin të regjistruar 35 mijë e 128 nxënës, ndërsa në vitin shkollor 1970-1971, vetëm 16 mijë e 584 e kaluan klasën e tetë. Kjo shpjegohet për faktin se në shumë vendbanime kishte shkolla fillore vetëm me katër klasë, kurse ato me tetë klasë ishin 7 deri në 13 kikometra larg shtëpive të nxënësve.
Në 1972-ën, Kosova kishte vetëm një aparat televiziv për çdo 32 banor por nuk kishte qendër të saj televizive. Kështu që, kontrolli i transmetimeve gjendej në televizionin e Beogradit. Rrjedhimisht, kjo tregon për drynimin ekstrem që e krijonte pushteti në rrafshin e informacionit, duke i gozhduar shqiptarët edhe në raport me rrjedhên e ngjarjeve jashtë vendit.
Sipas statistikave të vitit 1974, në Kosovë kishte 150 biblioteka publike me një fond librar prej rreth një milionë ekzemplarësh. Rreth një e treta e këtyre librave ishin të shkruara në gjuhën shqipe. Krahasimin me vendet e tjera të Jugosllavisë e hasim me Vojvodinën e cila kishte 454 biblioteka me 3,5 milionë ekzemplarë.
Shkrimi i parullave në kërkim të të drejtave të qenësishme e njerëzore nga shqiptarët në ish-Jugosllavi kushtonte shumë. Pushteti i atëhershëm deri në vitin 1986 i kishte dërguar 4000 mijë shqiptarë në burgjet jugosllave.
Përjashtimi i forcave mësimore nuk kishte filluar nga vitet e ’90-ta, por akoma më herët. Para se të fillonin vitet e ’90-ta dhe të vendoseshin masat e dhunshme serbe, figuronin 800 mësimdhënës shqiptarë të larguar nga institucionet arsimore, vëren Viktor Meier në veprën e titulluar “Fundi i Jugosllavisë, goditja në Kosovë”.
Që të mos harrojmë, para se të shpërbëhej ish-Jugosllavia, gjurmët e asohershme thonë se kishte edhe helmime ndaj nxënësve shqiptarë, një herë më 1987 dhe dy herë herë më 1989, para se në marsin e 1990-ës, të helmoheshin masivisht mbi 10 mijë nxënës në objektet shkollore nga shërbimet sekrete serbe.
Në Kosovën Republikë, nuk po stacionohemi tek ndërtimi i institucioneve shtetërore, rrjeti rrugor apo ndonjë sektor tjetër. Në e vështrojmë sot rrjetëzimin e institucioneve arsimore në Republikën e Kosovës, vërejmë që i kemi 9 universitete publike dhe 24 kolegje private. Njashtu, 1044 institucione shkollore, nga të cilat: 54 çerdhe, 869 shkolla fillore dhe 121 shkolla të mesme. Shohim që i kemi mbi 100 biblioteka publike pa i llogaritur biblioteka shkollore e universitare. Dhjetëra librari vetëm në kryeqendrën e vendit – Prishtinën, që në kohën e pushtetit jugosllav vlonte nga demostratat e shqiptarëve në kërkim të të drejtave. /FolDrejt/