Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve: E.S., dhe T.J., të cilët nga data 23.06.2022 gjenden në paraburgim, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Dhunimi”.
“Sipas aktakuzës, në periudhën kohore prej 16-17 qershor 2022, në fshatin Nashec – Komuna e Prizrenit, të akuzuarit E.S., dhe T.J., së bashku detyrojnë viktimën M.E., për të kryer akt seksual pa pëlqimin e saj, me përdorim të forcës dhe shkaktimin e dehjes së të dëmtuarës, në atë mënyrë që me automjet e shoqërojnë në një restorant dhe pastaj në shtëpizën e të akuzuarit T.J., në fshatin Nashec, e detyrojnë që të konsumojë pije alkoolike dhe substanca narkotike, duke e sjellë të dëmtuarën në situatë pa vetëdije, me ç’rast i akuzuari T.J., e godet me një mjet të fortë në kokë, ashtu që e dëmtuara M.E., e humb vetëdijen dhe të njëjtit kryejnë marrëdhënie seksuale me viktimën”.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohen, të shpallen fajtor.