Njohësja e çështjeve politike në vend, Laura Kryeziu, ka thënë se fokusi i administratës së presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, nuk dallon shumë nga administrata e ish-presidentit Donald Trump.
“Dallimi është se Trump u ka ecur proceseve në mënyrë vetanake, ndërsa Biden përpiqet që arritjet që i synon në Ballkan të jenë në bashkëpunim me BE-në”, tha Kryeziu në Rubikon të Klan Kosovës.
“Qasja kundër korrupsionit, respektimi i marrëveshjeve bilaterale dhe përjashtimi i palëve të treta në rajon, pra i Rusisë dhe Kinës, janë tri pikat e fokusit të SHBA-së”, u shpreh ajo.
“Nuk mund të themi se administrata Trump ka qenë e dëmshme për ne”.
“Përfaqësuesit që janë dërguar nga SHBA-ja në rajon tregojnë se është koha të bëhen ndryshime, që kanë mbetur tash e 20 vjet në rajon”.
Tutje Kryeziu tha se profili i Christopher Hillit, ambasadorit Gabriel Escobar dhe vetë presidentit të SHBA-së është një trekëndësh fatlum për Kosovën, pasi i dinë gjërat shumë mirë në rajon.
“Problemi i Kosovës është që ka hyrë në një zonë komfort, ku beson se ne jemi aq të rëndësishëm për Amerikën dhe se çfarëdo sjellje që kemi ndaj Amerikës, nuk do të ketë pasoja. Pasoja do të ketë. SHBA-ja do të gjejë aleatë në rajon”.