Presidenti slloven, Borut Pahor tha në Podgoricë se kishte pasur një ngërç rreth zgjerimit të BE, si me BE ashtu edhe me vendet kandidate nga Ballkani Perëndimor.
Pahor u takua me presidentin malazez, Milo Gjukanoviq në një darkë pune në Podgoricë të mërkurën si pjesë e përgatitjeve për organizimin e konferencës së Procesit Brdo-Brijuni, e cila do të zhvillohet në Slloveni në mes të muajit maj.
Pas takimit, Pahor tha se detyra e tij ishte të gjente ide të reja dhe të freskëta me presidentët e Sllovenisë, Kroacisë, Kosovës, Bosnje-Hercegovinës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë, në bashkëpunim me institucionet e BE-së “për një strategji të rinovuar rreth zgjerimit më të shpejtë të BE-së në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që në vend që të besojnë në anëtarësimin e ardhshëm në Bashkim, ato vende, udhëheqësit e tyre, të mos mendojnë për alternativa të rrezikshme”, raporton klix.ba.
I pari i shtetit slloven do të përkushtohet në përgatitjen e konferencës në Brdo më 17 maj. Presidenti slloven kujtoi se presidenca sllovene e Këshillit të Bashkimit Evropian do të fillonte në fillim të korrikut.
“Unë mendoj se nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa, në një kohë kur epidemia ka përkeqësuar më tej disa probleme sociale në të gjitha vendet tona, për t’u dhënë njerëzve besim në një të ardhme paqësore dhe të sigurt”, tha presidenti slloven.