Një pushkë artizanale, armë të vogla, pajisje armësh, dy pistoleta elektrike dhe një hanxhar ishin mes një arsenali të sekuestruar në një fabrikë që printonte armë në 3D, e zbuluar në Spanjë.
Oficerët e policisë bastisën fabrikën në lokalitetin Santa Cruz de Tenerife, në ishujt Kanarie dhe arrestuan pronarin që është akuzuar për posedim ilegal armësh dhe eksplozivi.
Në ambientet e fabrikës u gjetën edhe libra udhëzues për terrorizmin, guerilen urbane dhe se si të prodhosh eksploziv në shtëpi, duke përdorur një printer 3D.
Edhe literaturë për supremacistët e bardhë u sekuestrua gjithashtu nga autoritetet, bashkë me një këllëf pistolete që mbante simbolin e ushtrisë naziste gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Gjetëm një numër printerësh 3D, një prej të cilëve shërbente për të printuar pjesë armësh. Gjetëm disa pjesë përbërëse të printuara dhe gati për t’u bashkuar për t’u përdorur”, shprehet një oficer policie.