Mercedes-Benz do të ndërtojë rrjetin e saj të karikimit të automjeteve elektrike në mbarë botën, duke filluar nga Amerika e Veriut në përpjekje për t’i konkurruar liderit të shitjeve të automjeteve elektrike Tesla.
Prodhuesi gjerman i makinave luksoze, gjatë ekspozitës së pajisjeve CES në Las Vegas tha se këtë vit do të fillojë ndërtimin e rrjetit në Amerikën e Veriut me një kosto totale prej pak më shumë se 1 miliard euro (1,05 miliardë dollarë), që pritet të përfundojë brenda gjashtë apo shtatë vjetësh. Rrjeti do të ketë 400 pika karikimi me më shumë se 2.500 priza me fuqi të lartë, tha kompania, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Pastaj do të pasojnë rrjetet në Evropë dhe Kinë dhe tregje të tjera, ndërsa përfundimi i rrjetit të plotë pritet deri në fund të dekadës, kur kompania synon të shesë të gjitha automjetet elektrike në varësi të kushteve të tregut. Rrjeti i plotë do të ketë më shumë se 2.000 pika karikimi dhe mbi 10.000 priza në mbarë botën, u tha gazetarëve Ola Källenius, kryetar i bordit drejtues të Mercedes-Benz.
Kompania tha se rrjeti i markës Mercedes do të jetë i hapur për pronarët e të gjitha automjeteve elektrike, por pronarët e Mercedes do të kenë përparësi në rezervimin e portave të karikimit dhe do të kenë përparësi ndaj markave të tjera.
Ky hap do të ndihmojë kompaninë të konkurrojë me Tesla-n, e cila në faqen e saj të internetit tha se ka 40 mijë porta karikimi në mbarë botën. Rrjeti i Tesla-s është kryesisht për përdorim ekskluziv të pronarëve të Tesla-s, megjithëse CEO Elon Musk ka thënë se ka plane që t’i hap ato edhe për markat e tjera. Rrjeti i jep Tesla-s një avantazh konkurrues ndaj markave të tjera të makinave elektrike.
Çdo pikë karikimi e Mercedes do të ketë katër deri në 12 porta me fuqi karikimi deri në 350 kilovat. Mercedes do të ndajë koston e rrjetit të Amerikës së Veriut në mënyrë të barabartë me MN8 Energy, një operator i madh i energjisë diellore dhe ruajtjes së baterive, furnizuesin e rrjetit të karikimit të makinave elektrike në SHBA ChargePoint, i cili është gjithashtu një partner./FolDrejt/