Prodhuesi amerikan i çokollatës Hershey po përballet me një padi në vendin e tij nga një konsumator i cili pretendon se tre nga çokollatat e tij të zeza përmbajnë sasi të dëmshme të metaleve të rënda, raportojnë mediat britanike.
Njujorkezi Christopher Lazazzaro ngriti një padi kundër Hershey të mërkurën, duke pretenduar se kompania mashtronte konsumatorët duke mos zbuluar se sa plumb dhe kadmium toksik përmbanin tre shufrat e saj të çokollatës së zezë, shkroi BBC të enjten.
Lazazzaro pretendon se ai nuk do të kishte blerë çokollatën speciale Hershey’s Dark Mildly Sweet, Lily’s Extra Dark Chocolate 70% Kakao dhe Lily’s Extreme Dark Chocolate ose do të kishte qenë i gatshëm të paguante një çmim më të ulët nëse do ta dinte atë informacion.
Në padinë e propozuar në grup, ai kërkoi të paktën pesë milionë dollarë dëmshpërblim.
Hershey’s nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për të komentuar mbi padinë, dhe as avokatët e Lazazzaro, vëren BBC.
Disa kërkime sugjerojnë se antioksidantët dhe nivelet relativisht të ulëta të sheqerit në çokollatën e zezë mund të ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve të zemrës, kujton BBC.
Por në padi, Lazazzaro i referohet gjetjeve të fundit të revistës amerikane Consumer Reports (CR), e cila testoi 28 çokollata të zeza për plumb dhe kadmium.
Ata zbuluan se të gjitha 28 çokollatat përmbanin metale të rënda, por 23 prej tyre, duke përfshirë çokollatat nga Hershey, Godiva dhe Lindt, përmbanin nivele potencialisht të dëmshme të plumbit, kadmiumit ose të dy metaleve, nëse konsumoheshin 28 gram në ditë.
Hershey’s Special Dark dhe Lily’s 70% përmbajnë nivele të larta plumbi, dhe Lily’s 85% përmbajnë nivele të larta të plumbit dhe kadmiumit, sipas BBC.
“Çdo lloj ushqimi mund të përmbajë metale të rënda nëse ato janë të pranishme në tokë në një përqendrim të lartë”, shpjegon dietologia Sheeba Majmudar për BBC.
“Asnjë ligj ushqimor aktualisht nuk mandaton testimin e të gjitha grupeve të produkteve ushqimore – derisa të sëmureni.” Mund të thuhet se toksinat në ushqim në përgjithësi nuk janë të sigurta, por slogani ‘konsumator kujdes’ gjithmonë na vjen në mendje”, shtoi Majmudar.
Hershey bleu prodhuesin e ëmbëlsirave me pak sheqer, Lily’s qershorin e kaluar./FolDrejt/