Në tremujorin e parë të këtij viti, çmimet e prodhimeve bujqësore në Kosovë janë rritur për 17.72 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2021.
Kështu është bërë e ditur nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, e cila ka prezantuar indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore ku janë përfshijnë të dhëna prej muajit janar deri në mars të vitit 2022.
ASK-ja bën të ditur se gjatë kësaj periudhe, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 15.33 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.
Ndërsa, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore thuhet se ka rritje për 25,62 për qind në tremujorin e parë të vitit 2022 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.
Tutje ASK bën të ditur se, në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë.
Të gjitha çmimet, sipas ASK-së janë llogaritur në euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë.
Këto të dhëna, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), i bëri të ditura me publikimin e raportit, “Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi” për tremujorin e parë të vitit 2022.
Në këtë publikim, ASK njofton se janë grumbulluar çmimet e prodhimeve vendore bujqësore në Kosovë. Grumbullimi i çmimeve është bërë në treg, ferma dhe vendet të tjera.