Adem Jashari (28 Nëntor 1955 – 7 Mars 1998) ishte kryekomandanti dhe themeluesi kryesor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lindi më 28 nëntor 1955 në fshatin Prekaz të Poshtëm të Drenicës, në Kosovë dhe ra dëshmor më 7 mars 1998 në shtëpinë e tij, gjatë Sulmit në Prekaz.
Së bashku me vëllain e tij Hamzën, Adem Jashari ka marrë pjesë në sulmet kundër forcave policore–ushtarake serbe, të cilët më vonë e sulmuan shtëpinë e tij në mars të vitit 1998, ku Adem Jashari ra heroikisht së bashku me 58 anëtarët e familjes së tij. Ky është rast unikat në historinë e luftërave.
Veprimtaria e tij
Adem Jashari lindi në një familje me tradita patriotike. Ishte djali i tretë i mësuesit Shaban Jashari. Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, ndërsa Shkollën e Mesme Teknike e përfundoi në qytetin e Skënderajit. Adem Jashari gjithmonë ishte i vetëdijshëm se vetëm krisma e pushkës do ta çlironte Kosovën nga okupimi serbo-sllav. Rrallëherë e shihje pa armë. Ai ishte rritur në frymën e trimërisë, heroizmit dhe atdhedashurisë, nga e cila ia kishte mbjellur heroizmin babai i tij Shabani. Në vitin 1991, Adem Jashari u zhvendos në Shqipëri sipas marrëveshjes së autoriteteve kosovare me autoritetet shqiptare të asaj kohe, për t’u trajnuar me vullnetarët e parë, që më vonë u bashkuan në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Më 28 shkurt 1998, një grup luftëtarësh të udhëhequr nga Adem Jashari, sulmuan patrullat e policisë serbe duke vrarë katër policë dhe plagosur dy. Familjen Jashari e luftuan forcat serbosllave në Kosovë në vitet e 90-ta, por ky fakt u mbajt i fshehur nga opinioni i gjerë, nga ana e politikanëve shqiptarë dhe nga qeveria e Beogradit, si mënyrë për të ruajtur status-kuonë. Beteja e parë mes Ademit dhe shokëve të tij kundër Forcave Federale Jugosllave u bë në mëngjesin e 30 dhjetorit të vitit 1991. Shtëpia e Jasharajve ishte rrethuar nga një numër i madh i forcave të sigurimit serbosllav duke kërkuar dorëzimin e tij. Adem Jashari sëbashku me shokët e tij, e thyen rrethimin dhe më vonë morën pjesë në disa aksione kundër ushtrisë jugosllave dhe policisë. Shtëpia e Adem Jasharit në Prekaz u sulmua përsëri nga forcat e policisë federale jugosllave më 22 janar të vitit 1998. Sulmi u përballua përsëri me sukses.
Sulmi mbi Prekaz
Në orët e hershme të mëngjesit të 5 marsit 1998, në Prekaz u sulmua sërish familja Jashari nga Ushtria Serbe dhe forcat policore serbe. Forcat sulmuese përbëheshin nga transportues të blinduar dhe pjesëtarë të policisë, të mbështetura nga artileria nga një fabrikë municioni në afërsi. Lagjen Jashari e kishin rrethuar diku me rreth 7,000-8,000 trupa serb. Sulmi zgjati 3 ditë.
Forcat Serbe filluan sulmin pa asnjë paralajmërim. Pas kësaj kanë filluar të shtënat e automatikëve dhe mitralozëve. Nga një shtëpi, policia serbe qëllonte me mortaja. Shumica e familjes së gjërë e Jasharajve u mblodhën në një dhomë të vetme, e cila ishte e murosur me tulla. Një predhë pastaj ra përmes çatisë, duke vrarë një numër të anëtarëve të familjes. Granatimet e vazhdueshme për 52 orë ia mundësuan policisë më në fund të hyjë në shtëpi.
Organizata “Amnesty International”, në një raport të bërë për rastin, tha se sulmi kishte për qëllim eliminimin e të gjithë dëshmitarëve. Adem Jashari së bashku me 56 anëtarët e familjes së tij u vranë. Gjithsej 58 persona janë vrarë, në mesin e tyre 18 ishin gra dhe 10 fëmijë nën moshën 16 vjeçare. Këtij sulmi i mbijetoi vetëm Besarta Jashari (asokohe 11 vjeçare).
Nga ana tjetër televizioni serb “B-92” lajmëronte për 69 pjesëtarë serbë të vrarë të Policisë dhe Ushtrisë Jugosllave në këtë aksion. /FolDrejt/