Qeveria e Kosovës sot ka votuar për programin qeverisës për vitet 2020-2023. Në program parashihet si pikë e fundit edhe ajo e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, megjithatë, specifikohet se kjo do të bëhet me Bashkimin Evropian.
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës që u mbajt sot është votuar për parimet dhe qasjen që do të ndiqet përgjatë qeverisjes së Albin Kurtit.
Në kuadër të programit për tre vitet e ardhshme, ku flitet për prioritetet dhe vendimet që do të merren për të përmirësuar gjendjen në vend, është edhe qasja ndaj dialogut me Serbinë.
Tema e bisedimeve është lënë si pikë e fundit, e programit 45 faqesh, ndërsa, tregohen edhe orientimet e përgjithshme të Qeverisë për sa i përket agjendës së integrimit evropian dhe politikës së jashtme.
Sa i përket pjesës së politikës së jashtme, thuhet se do të ketë fuqizim të marrëdhënieve diplomatike me shtetet që e kanë njohur Republikën e Kosovës.
Megjithatë, në pjesën ku flitet për dialogun Kosovë – Serbi, nuk parashihen bisedimeve të bëra me ndërmjetësimin amerikan.
Aty saktësohet se do të angazhohen për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut dhe në frymën e parimit të reciprocitetit, e se dialogu do të zhvillohet për çështjet e raporteve dypalëshe dhe të fqinjësisë së mirë, përfshirë këtu edhe çështjen e të pagjeturve, reparacioneve të luftës e okupimit, etj.
Theksohet se do të bëhet rishikimi i plotë i marrëveshjeve të arritura deri më tani me qëllim të analizimit të zbatimit të tyre nga ana a Serbisë e se në bashkëpunim me BE-në këto çështje do të shtohen në dialog.
Nuk përmenden ndërkaq marrëveshjet e nënshkruara me ndërmjetësimin amerikan.