Dallimet në koeficientet e projektligjit për paga ka krijuar një pakënaqësi të madhe te punëtorët e sektorit publik. Grevat e mësimdhënësve, kirurgëve dhe paralajmërimet e shërbyesve civil, kanë shtyrë LDK-në dhe njohësit e çështjeve ekonomike të kërkojnë që ligji të tërhiqet prapa dhe të kthehet në pikën zero.
Partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, konsideron se projektligji për paga nuk ka një shpërndarje të drejt. Sipas tyre, ka ardhur një pikë ku nuk mund të përmirësohet ky ligj.
Për shefin e grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, problemi më i madh në projektligjin e pagave është pabarazia ndërmjet pagës minimale dhe asaj maksimale.
Hoti shprehet se të gjitha kërkesat e mësimdhënësve duhet të respektohen sepse janë të drejta.
Ndërsa, partia tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje thotë se projektligji për paga i qeverisë ka qenë i pa harmonizuar dhe për këtë arsye ka pasur dallime të mëdha ndërmjet sektorëve.
Deputeti nga radhët e kësaj partie, Valon Ramadani tha se janë munduar që përmes amendamenteve sado pak të përmirësojnë ligjin.
Sipas tij, në punëtorin që komisioni për Administratë Publike ka mbajtur, kanë arritur që sado pak të ulet hendeku mes pagës minimale dhe asaj që është paraparë me ligj.
Kurse, për njohësin e çështjeve ekonomike, Muhamet Mustafa, ky projektligj duhet të tërhiqet nga Kuvendi.
Sipas tij, ka probleme të shumta dhe në një periudhë më afatgjate do të ishte problem për buxhetin e shtetit.
Mustafa thekson se pas arritjes së një konsensusi bazik social të aprovohet ligji brenda dy muajve.
Ndërsa nga Oda Ekonomike Amerikane shprehen se projektligji si i tillë po krijon dhe më shumë ndasi ndërmjet sektorit publik dhe atij privat.
Pavarësisht kësaj, drejtori i kësaj ode, Arian Zeka u shprehet se dhe tek sektori publik ka hendeqe dhe ndasi në nivelin e pagave.
Në lidhje me zgjidhjen eventuale që mund të ofrohet, ai thotë se nuk duhet të rrezikohet deficiti buxhetor sepse do të rrezikohet stabiliteti i shtetit.
Projektligji për paga shpeshherë është tërhequr nga qeveritë e kaluara, pikërisht për shkak të reagimeve të mëdha dhe mospajtimeve nga punëtorët e sektorëve publik.
Ndërsa, ka kaluar në disa komisione dhe pritët që të shkoi në kuvend për aprovim.