Në komunat veriore të vendit: Mitrovicën Veriore, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok janë duke u mbajtur zgjedhjet e parakohshme lokale për kryetarë komunash dhe për dy kuvende komunale në Zveçan e Leposaviq, ndërsa Prokurori i Shtetit ka njoftuar se janë duke e përcjellur procesin nga afër, shkruan Fol Drejt.
Në njoftim thuhet se, që nga ora shtatë e mëngjesit të ditës së sotme, prokurorët së bashku me Policinë e Kosovës janë të angazhuar, në stacione policore të katër komunave gjegjëse.
Gjithashtu, në këtë proces zgjedhor janë të angazhuar edhe gjyqtarët kujdestarë të cilët janë në gatishmëri për çdo eventualitet.
Prokurori i Shtetit me qëllim të parandalimit të çdo parregullsie që lidhet me të drejtën e votës, “fton qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile, të bashkëpunojnë dhe raportojnë në Polici dhe Prokurori për të gjitha pretendimet eventuale lidhur me keqpërdorimet zgjedhore”, thuhet në komunikatën e bërë për media.
Të drejtë vote kanë 45 mijë e 95 votues, ndërsa deri më tani ka një fluks të vogël të qytetarëve të cilët e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë./FolDrejt/