Ka filluar gjykimi ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po akuzohen krime të kryera gjatë luftës në Kosovë, shkruan Fol Drejt.
Në fjalën e tij hyrëse, prokurori në Hagë tha ndër të tjera se në një pjesë të deklaratave të të akuzuarve, ka kundërthënie.
Ai mori shembull vetë ish presidentin Hashim Thaçi:
“Gjatë hetimit të kësaj çështjeje, Hashim Thaçi, erdhi disa herë, fshehurazi në Hagë, për t’u dhënë prokurorëve të ZPS-së një intervistë të zgjatur, të videoincizuar. Gjatë këtyre intervistave, mes një sërë pranimesh të rëndësishme, ai mohoi shumëçka lidhur me rolin e tij dhe rolin e Shtabit të Përgjithshëm. Për shembull: z. Thaçi pretendoi se Shtabi i Përgjithshëm nuk kishte asnjë funksion deri në nëntor të 98-tës dhe edhe pas kësaj date ekzistonte vetëm në letër. Ai e mohoi gjithashtu se kishte dijeni për ndalimet.”
Sipas prokurorit provat që do të paraqiten në gjykatë, do të vërtetojnë se këto pretendime ishin të rreme. Sipas tij, ato bien ndesh edhe me vetë deklaratat e vetë Thaçit dhe dëshmitarëve të tjerë.
“Përse z.Thaçi erdhi këtu në Hagë dhe i bëri këto deklarata?” – pyeti ai në fund, duke shtuar se, fundi i fundit gjykata do t’i jap përgjigje kësaj pyetjeje./FolDrejt/