Të shtunën, në emisionin Oxygen në Klan Kosova, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, e ka paraqitur një rast prekës të një gruaje, e cila është viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Balje tha se gruaja në fjalë e njeh dhunuesin.
Ajo tha se, sipas deklaratave të viktimës, dhunuesi punon në Policinë e Kosovës dhe jeton në Graçanicë.
“Dua të ndaj një moment me ju që e kam përjetuar para një viti. Ka qenë në Komisionin për të Drejtat e Njeriut një grua që ka përjetuar dhunë seksuale në kohën e luftës në Kosovë”.
“E ka ditur kush është personi dhe e ka ditur se ku jeton ai. Ai e ka dhunuar disa herë atë dhe e ka njohur. Para një viti në komision ajo ka deklaruar se dhunuesi është pjesëtar aktiv në Policinë e Kosovës dhe jeton në Graçanicë”.
E kjo deklaratë e ka aktivizuar Prokurorinë Speciale.
Prokurorja Drita Hajdari tha për Klankosova.tv se janë duke i grumbulluar informacionet lidhur me rastin.
“Jemi në kontakt me deputeten për të siguruar prej saj informacionin e nevojshëm për hapjen e rastit”.
Hajdari theksoi se Balje ishte dashur ta raportonte rastin në prokurori dhe polici.
“Jam e habitur. Ajo është dashur që rastin ta raportojë në prokurori dhe polici dhe jo ta trajtojë një rast të tillë të ndjeshëm në një emision zbavitës”.
Klankosova.tv është duke provuar të kontaktojë edhe deputeten Duda Balje, për të marrë më shumë detaje lidhur me këtë zhvillim.