Prokuroria në Paris njoftoi sot se liderja e së djathtës ekstreme franceze, Marine Le Pen dhe partia e saj duhet të gjykohen për keqpërdorim të supozuar të fondeve të Bashkimit Evropian.
Në njoftim thuhet se prokuroria kërkon gjykimin e partisë së djathtë Lëvizja Kombëtare dhe njëzet e shtatë personave, duke përfshirë Le Pen dhe babain e saj Jean-Marie Le Pen, për dyshime se kanë keqpërdorur fondet publike të BE-së ndërmjet viteve 2004 dhe 2016, raporton Politico.
Ne e kundërshtojmë këtë pretendim, që mendojmë se është i gabuar, për punën e deputetëve të opozitës dhe ndihmësve të tyre dhe besojmë se është në radhë të parë politik. Ne do t’i paraqesim argumentet tona në gjykatë, tha Le Pen sot.
Kërkesa për gjykim është epilogu i një hetimi shtatëvjeçar për pretendimet se Lëvizja Kombëtare ka përdorur fondet publike të destinuara për të paguar stafin në Parlamentin Evropian për të paguar stafin e partisë.
Gjyqtarët do të vendosin nëse do të pranojnë apo refuzojnë kërkesën e prokurorit për gjykim.
Të pandehurit, nëse gjykohen dhe shpallen fajtorë, mund të dënohen me burgim deri në dhjetë vjet, me gjobë deri në një milion euro dhe me ndalim të funksioneve publike nga pesë deri në 10 vjet./FolDrejt/