Prokuroria Themelore në Gjakovë njofton se vrasja e dyfishtë e H.I dhe B.I., mbrëmjen e së dielës në fshatin Madanaj, Komuna e Gjakovës, ndodhi për shkaqe pronësore dhe se brenda afatit ligjor do të kërkohet masa e paraburgimit për të dyshuarin Gj.Gj.
Përmes një komunikate për medie, Prokuroria thotë se rasti ka ndodhur rreth orës 20:20 dhe se në vendngjarje bashkë me Policinë ka dalë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, prokurori kujdestar dhe gjyqtari i procedurës paraprake, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Me datë 25.06.2023, rreth orës 20.20/h, në fshatin Madanaj, Komuna e Gjakovës, i dyshuari GJ.GJ pas një mosmarrëveshje që ndërlidhet me pronë, me përdorimin e armës së zjarrit duke shtënë ka privuar nga jeta tani të ndjerët H.I dhe B.I, ashtu që pas marrjes së njoftimit nga policia e Kosovës, menjëherë në vendin e ngjarjes ka dal Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjkovë, prokurori kujdestar, gjyqtari i procedures paraprake si dhe të gjitha njësit relevante. Po ashtu është njoftuar Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe me urdhresë të prokurorit viktimat janë dërguar për autopsi, si dhe janë ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme në lidhje me sigurimin e provave material dhe personale nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftim.
Prokuroria njofton se i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë. Ai dyshohet për veprat penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje.
“Prokuroria Themelore Gjakovë, brenda afatit të paraparë ligjor do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, kundër të pandehurit të lartcekur, për shkak të veprës penale, Vrasje e rëndë nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës si dhe për veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, njofton Prokuroria. /BetimipërDrejtësi/
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.