Nga Ziber Lata
Pas familjes, mektebi është vatra e parë e edukimit fetar në shoqërinë muslimane. Historia flet se shoqëritë ku mektebi ka funksionuar mirëfilli, kanë arritur të krijojnë një bërthamë të shëndoshë të ardhmërisë së tyre. Këtë e dëshmon edhe historia jonë, sepse paralizimi i mektebit në shumë vise muslimane shqiptare rezultoi me pasoja të kobshme në segmente të ndryshme të shoqërisë sonë, pasoja të cilat vazhdojmë t’i vuajmë edhe sot e kësaj dite. Pavarësisht se Maqedonia cilësohet ndër shtetet rajonale ku institucioni i mektebit ka funksionuar më mirë dhe me shtrirje më të gjerë, përsëri pasojat e sistemit komunist vazhdojnë të shfaqen sot e gjithë ditën në qarqe të ndryshme të shoqërisë sonë, ngase mektebi shihej si antipod i sistemit të atëhershëm arsimor.
Qysh në kohën kur kam mësuar në mekteb si fëmijë i vogël dhe i pavetëdijshëm për proceset edukative-arsimore, kam spikatur dhe kam ndjerë se diçka nuk shkon siç duhet, ngase ballafaqimi me metoda të vështira, me materiale të koklavitura dhe me punë të pasistemuar në mektebe ka qenë një barrë e cila më ka rënduar mbi shpinën time, edhe pse isha komplet i pavetëdijshëm se ku qëndron thelbi i problemit, derisa, me lejen e Allahut të Madhërishëm dhe pastaj me dakordimin e myftiut të nderuar, dr. Qenan Ismaili, arrita që një pjesë të asaj barre të rëndë ta shkarkoj në këto libërtha dhe doracakë të prezantuar para jush.
Meqë Elifbaja dhe Texhvidi ishin projektet e mia të para për fëmijë, ma hante mendja se do të kem shumë pak punë dhe do të kaloja lehtë, mirëpo, e vërteta ishte krejt ndryshe. Puna në këto projekte më mësoi përgjigjen e pyetjes së fshehur në nënvetëdijen time qysh kur i lexoja lektyrat në shkollën fillore, ku vazhdimisht vritja mendjen: përse një shkrimtar kaq i madh si Naim Frashri, Dritëro Agolli, Vedat Kokona dhe të tjerë të shkruajnë lektyra për fëmijë dhe libra kaq të vegjël? Përgjatë karrierës sime shkencore, kam shkruar në shumë sfera, por asnjëherë nuk e kam shoshitur aq shumë përzgjedhjen e fjalëve, renditjen e gjymtyrëve të fjalisë dhe matjen e stilemave shprehëse, si në këto doracakë për fëmijë. Vërtet, është lehtë t’u shkruar, të flasësh dhe të diskutosh me të rriturit, por ishte shumë e vështirë dhe e sikletshme të diskutosh dhe të ballafaqohesh me psikologjinë dhe botën e fëmijëve.
Sidoqoftë, pas bashkëpunimit të vazhdueshëm me ekipin e Myftinisë, me profesorët e nderuar dhe me të gjithë ata që kontribuuan në finalizimin e këtij projekti, përfshirë edhe përkrahësit financiarë, arritëm të kemi një version të të tre librave, dhe atë në katër gjuhë të ndryshme. Këto prurje modeste nuk janë kupola e ngrehinës madhështore që mëton të ngrejë Myftinia e Shkupit, por janë themelet e forta dhe të shëndosha mbi të cilat do të suvatohen të gjitha sugjerimet, vërejtjen, përmirësimet dhe plotësimet konstruktive që do të burojnë nga përvoja e mëtutjeshme e mualimëve nëpër mektebe.
Besoj se kanë mbetur edhe shumë punë për t’u bërë që sistemi i mësimit në mektebe të avancohet dhe të sistemohet, sepse krahas doracakëve të cilët tanimë i kemi, duhet investuar në kuadrot, në objektet, në mjetet ndihmëse dhe dytësore të këtij procesi, dhe mbi të gjitha në sistemimin e tij juridik të mirëmenduar.
Mektebi është një çerdhe edukative, më shumë sesa arsimore, nga ku kanë dalë të gjithë burrat e mëdhenj të fesë dhe të kombit, prandaj neve na duhet ta kultivojmë dhe ta promovojmë me shumë krenari dhe ballëhapur në tregun e shoqërisë sonë bashkëkohore, bile duhet t’u tregojmë të gjithëve se fëmija i edukuar në mekteb nuk vjedh, nuk rren, nuk mashtron, është besnik, punëtor, i shkathët dhe i denjë për çfarëdo që t’i besosh. Me pak fjalë, fëmija nga mektebi del me shpirt human, altruist dhe me plotë dashuri, dhe jo thjesht si një robot i mishtë që sot po gllabëron botën anembanë.
Në fund, mbetemi me shpresë se punët e këtilla të organizuara të ngrihen në nivel republikan të Bashkësisë Fetare Islame, në mënyrë që puna jonë dhe puna e të gjithë atyre që kontribuojnë në këtë sferë nëpër myftinitë tjera, të gërshetohet dhe të sintentizohet në një material dhe në një sistem të unifikuar në nivel shtetëror.
Shkup, 07.12.2022