Pronarët e restoranteve nga e gjithë Turqia udhëtuan për në Hatay, një nga rajonet më të goditura nga tërmetet shkatërruese të së hënës, për të përgatitur qebapë, oriz dhe ushqime të tjera të nxehta për të mbijetuarit nga fatkeqësia, shkruan Al Jazeera, përcjell Fol Drejt.
Omer Faruk, i cili drejton një restorant në Konya në Turqinë qendrore, udhëtoi për në një qytet tendash që strehonte ata që kishin humbur shtëpitë e tyre. Rreth 550 tenda të bardha janë ngritur pranë stadiumit Hatay – që zakonisht përdoret për futboll – në jug të vendit.
“Po sigurojmë ushqim për qytetarët tanë që po vuajnë nga tërmeti. Ne jemi të gjithë gastronomë. Ne jemi këtu për të ndihmuar viktimat e tërmetit”, tha Faruk.
Radhë të gjata banorësh, përfshirë shumë fëmijë, u rreshtuan për të marrë vaktet. Vullnetari Sardar Kayak tha se ata po siguronin ushqim për 1000 njerëz në ditë në stadium, si dhe një mijë të tjerë në fshatrat përreth. /FolDrejt/