Manjati i mediave prodemokracisë në Hong Kong, Jimmy Lai është dënuar me 14 muaj burgim për pjesëmarrje në një tubim të paautorizuar më 2019.
Kina po shtyp gjithnjë e më shumë të drejtat dhe liritë në territorin e Hong Kongut.
Lai dhe nëntë aktivistë tjerë të njohur prodemokracisë u dënuan më 28 maj për pjesëmarrje në një protestë anti-qeveritare më 1 tetor 2019 – dita kombëtare e Kinës.
Në protestë kishte pasur përleshje të ashpra midis protestuesve dhe policisë.
Manjati, 73-vjeçar gjendet në burg për pjesëmarrje në tubime të tjera protestuese atë vit. Ai përballet me të paktën dy akuza të tjera të paraqitura sipas një ligji të sigurisë kombëtare.
Legjislacioni i miratuar nga Kina, penalizon shkëputjen, përmbysjen, terrorizmin dhe bashkëpunimin me forcat e huaja dhe parasheh edhe dënime të përjetshme me burgim.
Në fillim të këtij muaji, autoritetet ngrinë pasuritë që i përkisnin Lai, duke përfshirë shumicën e aksioneve të tij në Next Digital, e cila boton Apple Daily, një tabloid që është shpesh kritik ndaj udhëheqjes së Hong Kongut dhe Kinës.
Hong Kongu ka qenë koloni e Mbretërisë së Bashkuar deri në vitin 1997, kur i është dorëzuar Kinës në bazë të sistemit “një shtet, dy sisteme”, që do të thotë se qyteti ka sistemin e tij ligjor dhe të drejtat, duke përfshirë fjalën e lirë dhe lirinë e shtypit.
Grupet e të drejtave të njeriut dhe demokracitë perëndimore e kanë akuzuar Pekinin për gërryerjen e këtyre lirive dhe autonomisë në vitet e fundit. Shtypja u intensifikua veçanërisht që nga protestat masive anti-qeveritare në Hong Kong më 2019 gjatë të cilave mijëra njerëz u arrestuan.