“Versioni i fundit i tekstit është dërguar dje në Beograd dhe sot në Kosovë. Tani ata duhet të nisin diskutimet serioze sepse kemi një moment që është mundësi e madhe”, tha Borrell nga Tirana, ku mori pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor.
Në fakt versionin e fundit për të cilin foli Borrell, e dorëzoi në kryeqytetin serb të hënën dhe atë kosovar të martën, emisari evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Lajçak, thotë se bëhet fjalë propozimin për ujdi të dorëzuar më 9 shtator, njofton Klan Kosova.
“Çka është e rëndësishme është që Kosova dhe Serbia e kanë pranuar këtë propozim si bazë për negociata, pra për takime dhe tani ne duhet që të bëhemi bashkë dhe të nisim diskutimin e këtij dokumenti”, tha Lajçak pas takimit me kryeministrin Albin Kurti.
Diplomati sllovak shtoi se brenda javësh nisin diskutimet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Ai, thotë se do të thirren në Bruksel liderët e dy vendeve sepse tani është “momentumi i cili s’do qëndroj këtu përgjithmonë”.
“Sa i përket muajit mars, ne s’duam shtyrje të procesit. Nuk jam mik i afateve kohore, ka pasë shumë afate kohore tashmë. Por në muajin mars do ta shohim ku jemi dhe a po përparojmë dhe ku po shkon procesi”.
Lajçak u shpreh i lumtur që kjo vizitë është ndër të rrallat në muajt e fundit ku nuk flitet për menaxhimin e krizave. I dërguari i Brukselit, shpreh brengosjen për situatën në katër komunat në veri të Kosovës.
“Një gjë është e qartë ne kemi vakum serioz që është vakum i sigurisë. Kjo s’është e mirë për njerëzit, për askënd. Ne do të donim të kthehemi te situata normale ku policia është aty dhe kryen punën e saj e gjyqësori funksionon. Doja të dëgjoja nga të dyja palët. Ne qartazi i shfaqëm pritjet e BE-së dhe jemi të lumtur që të ndihmojmë e asistojmë që situata të kthehet në normale”.
Sa i përket zgjedhjeve për pushtet lokal që pritet të mbahen në veri të republikës më 18 dhjetor, Lajçak, sërish tha se s’hyn në detaje por mbaroi duke thënë se nuk do që këto votime të bëhen shkaktar i destabilizimit.