Zyra e Rregullatorit për Energji ka publikuar sot një raport konsultativ në kuadër të shqyrtimit të jashtëzakonshëm që e kanë bërë për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike. ZRRE konstaton se rritja e konsumit të energjisë elektrike që u vërejt në vitin 2021 është shkak edhe i një ndryshimi të strukturës tarifore në vitin 2017.
Struktura tarifore e ndryshuar në vitin 2017, sipas ZRRE-së ka pasur ndikim të konsiderueshëm negativ në sistem, duke rezultuar në rritjen e kërkesave për rrymë dhe rrjedhimisht, shpenzimeve në blerjen e energjisë elektrike.
Duke e marrë për bazë një zotim të Ministrisë së Ekonomisë se do t’i ndajë 75 milionë euro për ta zbutur ndikimin e krizës energjetike në tarifa, ZRRE thotë se nuk ka nevojë për rritje të çmimit të rrymës për ata konsumatorë që nuk shpenzojnë më shumë se 600 kWh rrymë në muaj. Kësisoj, organi që rregullon aktivitetet në sektorin e energjisë në Kosovë thotë se mjetet e ndara nga Qeveria do ta shmangnin nevojën për rritjen e çmimit të rrymës për këtë kategori konsumatorësh, raporton Gazeta Express.
“Subvencioni i dhënë nga Qeveria efektivisht ndikon që tarifat e konsumatorëve biznesorë të mos pësojnë rritje dhe faturat për konsumatorët shtëpiak të mos rriten për konsumin që mund të ofrohet me tarifën ekzistuese nga kapacitetet vendore në Kosovë (deri në 600 kWh për muaj)”, thuhet në raportin e ZRRE-së.