Forcat policore kanë nisur të shtojnë praninë e tyre në kryeqytet, në pritje të protestës së organizuar nga Partia Demokratike ditën e sotme.
Siç shihet edhe në videon e mësipërme, rreth kryeministrisë janë mbledhur forca të shumta policore, në mënyrë që të shmanget çdo incident i mundshëm në tubimin e sotëm.
Sipas organizatorëve protesta do të nise në orën 19:00 dhe do të përfundojë në orën 21:00. Policia nuk ka informacione për skenare që cenojnë rendin, por po implementon në terren planin e masave anti-tubim.
Garda do të shtojë sigurinë në institucionet që shtrihen përgjatë bulevardit “Dëshmoret e Kombit”, kryesisht Kryeministrisë.
Në bulevard janë montuar dhe kamera me revolucion të larte që do të monitorojnë tubimin. Në gatishmëri do të qëndrojnë autobotët me ujë për shpërndarjen e turmave si dhe njësi nga shërbimi zjarrfikës dhe shëndetësor.
Prej orës 19:00, bulevardi “Dëshmoret e Kombit” nga kryeministria deri tek ish-hotel Dajti do të jetë i bllokuar për lëvizjen e mjeteve. Ndërsa në akset e tjera do te ketë qarkullim normal.
Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, janë:
– bulevardi “Dëshmorët e Kombit”;
– rruga “Gjergj Fishta”;
– bulevardi “Bajram Curri”
– bulevardi Zhan D’Ark
Policia apelon të gjithë qytetarët që të shmangin lëvizjen në këto akse rrugore.