Aktivistët dashamirës të autoriteteve ruse protestuan në Moskë përpara ambasadave të 20 vendeve që Rusia i konsideron “armiqësore”, me rastin e nëntë vjetorit të aneksimit të gadishullit të Krimesë në Detin e Zi.
Këto vende, duke përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Francën, “mbështesin Ukrainën dhe furnizojnë në mënyrë aktive me armë vdekjeprurëse regjimit ukrainas”, njoftoi lëvizja “Garda e Re”, përcjell Fol Drejt.
“Presidenti ukrainas (Volodymyr) Zelensky dhe (Presidenti i SHBA-së Joseph) Biden po planifikojnë t’i marrin Krimenë rusëve me ato armë vdekjeprurëse,” tha presidenti i lëvizjes, Anton Demidov, për France Press, gjatë një demonstrate përpara ambasadës amerikane.
Tubimi para ambasadës amerikane mblodhi rreth 400 aktivistë të cilët mbanin pankarta ku shkruhej “SHBA mbjell vdekjen” dhe “Krimeja me Rusinë përgjithmonë”.
Rreth 200 persona ishin para ambasadës britanike, sipas një gazetari të AFP në vendngjarje.
Sipas lëvizjes, ishin gjithsej 5000 para disa ambasadave.
Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë të Ukrainës më 18 mars 2014, pas një referendumi që nuk u njoh nga Kievi dhe komuniteti ndërkombëtar.
Sanksionet ndërkombëtare u vendosën më pas ndaj Rusisë, të cilat janë shtrënguar që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022./FolDrejt/