Partia qeverisëse e Gjeorgjisë ka njoftuar se do të tërheqë ligjin e diskutueshëm të “agjentëve të ndikimit të huaj”, raportoi CNN.
Ky njoftim erdhi pas dy netësh demonstratash masive në kryeqytetin Tbilisi, përcjell Fol Drejt.
Deklarata u lexua në shërbimin publik gjeorgjian, disa orë pasi dhjetëra mijëra njerëz, për të dytën natë radhazi, u mblodhën para Parlamentit të Gjeorgjisë.
Njoftimi për tërheqjen e projektligjit u përshëndet nga zyra e BE-së në Gjeorgji. “Ne inkurajojmë të gjithë liderët politikë në Gjeorgji që t’i drejtohen reformave pro-evropiane, në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konstruktive,” tha zyra në llogarinë e saj zyrtare në Twitter.
Demonstruesit, të cilët kundërshtuan ligjin, duke shprehur shqetësimin se ai është kundër zhvillimit demokratik të Gjeorgjisë, mbanin flamujt kombëtarë dhe të Bashkimit Evropian, të SHBA-së dhe Ukrainës.
Projektligji i diskutueshëm nënkuptonte që mediat dhe organizatat joqeveritare që marrin më shumë se 20 për qind të financimit të tyre nga burime të huaja do të regjistroheshin si “agjentë të ndikimit të huaj”. Përndryshe, ata do të përballeshin me dënime të rënda.
Ekspertët paralajmëruan se ky ligj do të shkaktonte pasoja negative për shoqërinë civile dhe do të dëmtonte demokracinë. Kritikët vunë në dukje se versioni gjeorgjian të kujtonte një ligj të ngjashëm të miratuar në Rusi për të mbytur disidencën dhe opozitën politike.
Pamjet e postuara në mediat sociale, të marra gjatë protestave të së mërkurës mbrëma, treguan protestuesit duke goditur me gurë dritaret e parlamentit dhe duke u përpjekur të çajnë gardhin e sigurisë. Policia i ndaloi ata duke përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji.
Ministri i Punëve të Brendshme të Gjeorgjisë njoftoi se 66 persona u arrestuan për protesta të çrregullta. “Pjesëmarrësit në protestë shkelën rendin dhe ligjin publik dhe i rezistuan policisë”, njoftoi ministria.
Gjatë dy mbrëmjeve të protestës janë arrestuar gjithsej 142 persona./FolDrejt/