Protestuesit kanë thënë se do të vazhdojnë t’i pushtojnë rezidencat presidenciale dhe ato të qeverisë së Shri Lankës derisa të dy liderët të japin zyrtarisht dorëheqjen.
Presidenti Gotabaya Rajapaksa tha se do të largohej më 13 korrik, sipas një njoftimi të bërë nga kryetari i parlamentit të shtunën.
Por vetë presidenti nuk është parë dhe as nuk ka bërë një deklaratë publike.
Mijëra njerëz zbritën në Colombo të shtunën duke kërkuar dorëheqjen e tij pas disa muajve të protestave.
Presidenti është fajësuar për keqmenaxhimin ekonomik të vendit, i cili ka shkaktuar mungesë ushqimesh, karburantesh dhe ilaçesh prej muajsh.
Kryeministri Ranil Wickremesinghe tha gjithashtu se ai do të tërhiqej pas protestave të së shtunës, si pasojë e të cilave rezidenca e tij private u dogj.
Por protestuesit mbeten skeptikë për qëllimet e liderëve.
“Lufta jonë nuk ka mbaruar,” tha drejtuesi i protestës studentore, Lahiru Weerasekara.
“Ne nuk do të heqim dorë nga kjo luftë derisa presidenti Rajapaksa të largohet në të vërtetë,” tha ai.
Udhëheqësit politikë do të mbajnë takime të mëtejshme për të diskutuar një tranzicion të qetë të pushtetit të dielën, shkruan BBC, transmeton KlanKosova.tv.