Partia Socialiste në Shqipëri ka siguruar mbi 50 firma për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Ky proces sipas tyre do të vazhdojë edhe ditëve në vijim. Ndërkohë që sot paradite në Kuvendin shqiptar u mblodh Konferenca e Kryetarëve ku u vendos që kërkesa të hyjë në kalendarin e punës së Kuvendit.
Në kërkesë thuhet se nisma vjen me qëllimin e sigurimit të besueshmërisë së popullit te roli i kreut të Shtetit. Socialistët shprehen të bindur se Presidenti Ilir Meta gjatë periudhës para dhe gjatë fushatës zgjedhore ka shkelur rëndë dhe në mënyrë flagrante Kushtetutën. Impiçmenti ndaj Metës vjen pak ditë pas zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri kur partia e kryeministrit Edi Rama doli fituese e zgjedhjeve duke siguruar shumicën e votave.
Ndërkohë presidenti Meta ka injoruar zhvillimet kundër tij duke kërkuar nga opinioni të fokusohen në numërimin e votave dhe përmbylljen e procesit zgjedhor. Për miratimin e kërkesës në Kuvend nevojiten 94 vota kurse vendimi më pas duhet të miratohet në Gjykatën Kushtetuese.