Partia Socialdemokrate do të organizojë protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.
Kështu ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj.
Protesta do të mbahet të shtunën e ardhshme me 29 janar, duke filluar nga ora 14:00.
“Të shtunën, më 29 janar, në orën 14:00, takohemi në Sheshin “Zahir Pajaziti” për të protestuar kundër këtij shtrenjtimi të energjisë elektrike”, bën të ditur Molliqaj.
Ai ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për vendimet.
“Qeveria është rreshtuar me monopolin privat. KEDS-it po i bën zgjidhje, kurse qytetarëve diciplinë e shtrenjtim. Si zëdhënës i KEDS-it, kryeministri po pyet “ku ti marrim paratë për të paguar importin e rrymës”? Por nuk po bën pyetje nga pozicioni i qytetarëve: “me çka të ngrohemi ne, nëse jo me rrymë? Ku t’i marrim paratë për ta paguar rritjen e çmimit?”, shkruan Molliqaj.
Tutje, ai shton se “Qeveria ka marrë anë”.
“Është reshtuar me bizneset e mëdha private. Të vetmit që nuk do të preken nga rritja e rrymës. Është koha të marrim anë edhe ne. Ne qytetarët që do t’ua paguajmë rrymën oligarkëve. Është koha të organizohemi kundër kësaj padrejtësie”, thotë Molliqaj.
“Këto vendime të gabuara kanë opozitë në këtë vend. Dhe kanë opozitë të madhe. Prandaj ftojmë gjithë opozitën e shtrenjtimit të energjisë elektrike që të bashkohemi në protestë”, thotë ai.