Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, gjatë fjalës së tij në ceremoninë e organizuar për hapjen e aeroportit të Kukësit ka treguar arsyet përse ky aeroport quhet “Zayed – Flatrat e Veriut”.
Rama tha se Aeroporti i Kukësit mban emrin ”Zayed” në nder të Princit të Kurorës të Emirateve Arabe për shkak të ndihmës që ka dhënë gjatë periudhës së luftës së Kosovës kur shumë kosovarë u zhvendosën në Kukës.
”Në këtë zonë u ngrit edhe kampi i madh i atyre që u shpërngulën nga shtëpitë me dhunë. Në atë kohë këtu erdhën shumë njerëz nga e gjithë bota”.
”Midis tyre erdhi dhe dikush që sot është Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara, Muhamed bin Zayed, i cili është i biri i një prej burrave më të urtë që me mençurinë e tij arriti t’i japë jetë atyre që sot e njohin si Emiratet e Bashkuara Arabe. I ati e nisi të birin që shoqërohej nga ai që sot është Kryeministri i Dubait dhe erdhën këtu për t’u kujdesur për refugjatët e luftës”.
”Dhe plaku i urtë kishte dhënë urdhër që urgjentisht të hapej pista. Dhe gjurma e kësaj piste është gjurma e kësaj historie solidariteti për ata që kishin nevojë në atë moment për gjithë forcën e vëllazërisë”.
”Princi i Kurorës e kujton edhe sot që kur ai ishte këtu i ati e merrte dy herë në ditë në telefon dhe i përsëriste “të gjithë ju që jeni aty bëni kujdes në shpërndarjen e ndihmave që asnjë familje mos t’i mungojë ushqimi”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.
Aeroporti i Kukësit “Zayed, Flatrat e Veriut”, do të ketë të vendosur brenda edhe një galeri kujtese me momente historike të luftës në Kosovë.
Për këtë Kryeministri Rama përmendi ish-presidentët Hashim Thaçin, dhe të ndjerin Ibrahim Rugovën, duke pohuar se brenda objektit të aeroportit, gjendet një hapësirë e veçantë e një momenti të jashtëzakonshëm historik.
”Në muret e këtij aeroporti gjendet edhe një moment i jashtëzakonshëm, momenti kur Hashim Thaci dhe Ibrahim Rugova i hapën rrugë përfundimisht çlirimit të Kosovës”, tha Rama ndër të tjera.