Shikuar në prizmin ‘tejkuletor’, i cili është i pranishëm, ndryshe qe edhe arsyetimi i parë në përgjigjet e thuajse çdonjërit emigrantë. Por, mendoj që, ka diçka tej shkakut ekonomik, po e emëroj si shkak filozofik, ngaqë ngërthen faktorin psikologjik, sociologjik e edukativ.
Shkruan: Ilaz Hajra
Shkaku filozofik ndërlidhet ngushtë me përkatësinë. Të jetuarit në një ‘fshat global’, paralelizmi i jetës reale dhe virtuale, globalizmi, virtualja si ushqim i imagjinatës së jetesës së mirë, çasteve të lumtura, aventurave të këndshme, përjetimeve të paharruara, sidomos rrugës së lehtë drejt arritjes së ambicieve, janë shkak që të rinjtë me theks të veçantë të kalojnë kohë më të madhe në botën virtuale se sa në atë reale.
Kjo situatë çon kah humbja e përkatësisë reale, duke ‘u përfaqësuar’ me përkatësi virtuale. Lirshëm shkon drejt krizës identitare kombëtare, ku nuk ndjehet më pjesë e një kombi a kombësie, edhe shoqëria merrë përmasa të tjera dhe ndikimi i saj tejkalon rrethet vicioze të takimit real, ajo shtrinë ndikimin e saj dhe ndikohet nga ajo në përmasa virtuale.
Pse është krizë kjo?
Sepse, sipas Maslow, qenia njerëzore duhet t’i plotësoj disa nevoja, si fiziologjike, të sigurisë, dashurisë dhe përkatësisë për të arritur gjer te nevoja e vetëaktulizimit. Kështu, njeriu i arrinë dhe i realizon ambiciet e tij, vetëm atëherë kur i plotëson nevojat esenciale të jetesës, ndjehet i sigurtë (në këtë rast edhe për të ardhmen e tij/fëmijëve), nevoja për të dashuruar (si reciprocitet edhe të tjerët ta duan), veçan të ndjejë veten pjesëtar/e të një territori gjeografik a një shoqërie. Kësisoj, emigrantët mendojnë se vendlindja e tyre nuk është territor i përshtatshëm dhe adekuat për arritjen e vetëaktulizimit.
Një ndikim të pashoq në këtë drejtim e kanë mediat, të cilat kanë krijuar imazhin e ‘ferrit’ për vendlindjen dhe imazhin e ‘parajsës’ për vendet e zhvilluara. Pra, duke ndjekur me kohë rekorde në të shumtën e rasteve të keqen në vend, njëkohësisht krahasimin me vendet e zhvilluara duke e plasuar lajme të mira përgjithësisht. Tjetër shkas, në saje të këtij shkaku, është krijimi i një përkatësie virtuale mish-mash, si kundërefekt i mungesës së njëmend i përkatësisë reale.