Lufta në Ukrainë nuk mund ta lërë indiferent Pekinin. Sepse efektet e saj janë ndjerë prej kohësh në Kinë, mendon Alexander Görlach.
Ministria e Jashtme kineze i quan “fake news” raportet në mediat amerikane, se Rusia i ka kërkuar Pekinit dërgimin e armëve për luftë në Ukrainë. Këto raporte u shfaqën të hënën natën, përpara se përfaqësuesit nga Uashingtoni dhe Pekini të takoheshin në Romë për të diskutuar situatën në Ukrainë. Informacionet kanë shtuar presionin mbi Republikën Popullore për të vepruar si ndërmjetës për t’i dhënë fund luftës së Putinit.
Në fakt, Kina ka një interes të veçantë për t’i dhënë fund luftës shpejt. Për shkak se efektet ekonomike të pushtimit të Ukrainës kanë arritur prej kohësh në këtë vend. Republika Popullore importon sasi të mëdha drithi nga Ukraina, si dhe nga Rusia. Si rezultat i luftës, çmimet janë rritur në atë masë sa që pushtetmbjatësi Xi Jinping është dashur të thotë hapur: Kina do të bëhet e pavarur nga importet e huaja.
Varfëria ekstreme
Vetëfurnizimi ka qenë prej kohësh synimi i pushtetarëve komunistë, të cilët brenda vendit po ndjekin një kurs nacionalist, të cilit nuk i përshtatet importimi nga jashtë i mallrave bazike për jetesën. Përveç kësaj, një sërë vendesh, duke përfshirë SHBA-në dhe Japoninë, kanë filluar të shkëputin ekonomitë e tyre nga ajo e Kinës, në mënyrë që të mos varen nga diktatura e Pekinit.
Në perandorinë e Xi jetojnë edhe më tej rreth 82 milionë kinezë me 1 dollarë në ditë. Rritjet e çmimeve si ato aktuale mund ta kthejnë situatën e tyre tashmë të pasigurt në një situatë të pashpresë. Udhëheqja e Republikës Popullore njoftoi vitin e kaluar se varfëria ekstreme në vend ishte mposhtur zyrtarisht. Banka Botërore, nga ana tjetër, llogariti se Pekini kishte metologji tjetër nga ajo që duhej për llogaritjen e varfërisë.
Varfëria reale në Kinë ka të ngjarë të jetë dukshëm më e lartë sesa deklarohet zyrtarisht. Përveç kësaj, kujtimi i kohës së urisë është ende i freskët. Nën Mao Ce Dunin, të cilin Xi Jinping përpiqet ta imitojë në çdo gjë, vendi përjetoi një periudhë të gjatë të urisë për bukë, midis 1959 dhe 1961. Deri në 76 milionë njerëz thuhet se kanë rënë viktimë e keqmenaxhimit ideologjik të Maos.
Rreziku nga revolta për shkak të varfërisë
Xi Jinping dëshiron të zgjidhet sekretar i përgjithshëm i përjetshëm në kongresin e 20-të të partisë në nëntor. Për të parandaluar ekseset diktatoriale si në kohën e Maos, maksimumi dy mandate pesëvjeçare në postet më të rëndësishme janë lejuar që nga vitet 1980. Për presidencën ky kufi tashmë është hequr nga kushtetuta. Xi mund ta udhëheqë vendin sërish si Mao.
Një revoltë urie nga të varfërit është një nga skenarët e paktë që mund të pengojë Xi të realizojë idetë e tij. Gazeta Der SPIEGEL zbuloi së fundmi se udhëheqja kineze po i bën presion Kombeve të Bashkuara që të mos publikojnë një raport që paralajmëron vdekjet nga uria, si rezultat i agresionit dhe luftës së Putinit kundër Ukrainës.
Presioni ndaj Pekinit
Në fillim të shkurtit, udhëheqësi i Kinës u mburr për miqësinë e tij të ngushtë me Putinin dhe njoftoi se dëshironte të bashkëpunonte ngushtë me Rusinë në fusha vendimtare si udhëtimi në hapësirë dhe kontrolli i internetit. Së fundmi, Pekini ka njoftuar se Rusia do të mbetet “partneri më i rëndësishëm strategjik i Republikës Popullore”.
Prandaj komuniteti botëror po i bën presion të madh Pekinit që të ndërhyjë në Moskë në lidhje me luftën në Ukrainë. Por Pekini nuk po e kërkon fare këtë skenë të madhe. Kjo do të tërhiqte vëmendjen e njerëzve në Kinë, për shkeljet e shumta të të drejtave të njeriut nga sundimtari Xi, veçanërisht gjenocidi ndaj ujgurëve. Bota gjithashtu do të shikonte në mënyrë kritike një Kinë ndërmjetëse, udhëheqësi i së cilës Xi ka kërcënuar vazhdimisht me aneksim dhe pushtim të Tajvanit të lirë dhe demokratik.
Misioni i pamundshëm
Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, Pekini është përpjekur të bëjë një politikë vështirë të realizueshme. Pekini nuk e dënon luftën e Rusisë, por në të njëjtën kohë u bën thirrje palëve të bisedojnë. Pekini nuk i mbështet sanksionet e botës së lirë kundër Rusisë, por në të njëjtën kohë nuk e mbështet as ekonomikisht Moskën. Refuzimi i ndihmës ushtarake, që nuk duhet quajtur kështu, tani po shkon në të njëjtin drejtim. Në vend të kësaj, Kina pretendon se Rusia nuk bëri kurrë një kërkesë për ndihmë.
Importet e grurit nga Rusia dhe Ukraina mbulojnë deri në 10 për qind të nevojave të Kinës, sipas një raporti të Wall Street Journal. Por lufta ka pasoja edhe për prodhimin e plehrave, vajit të lulediellit dhe sojës, të cilat eksportohen edhe në Republikën Popullore. Soja nevojiten urgjentisht për mbajtjen e kafshëve. Prandaj pritet që edhe çmimet e mishit në Kinë të rriten ndjeshëm.
Veprimi i domosdoshëm
Një thënie kineze është 大鱼大肉 – “shumë peshk, shumë mish”, që do të thotë se një vakt i mirë duhet të përmbajë shumë nga të dyja. Nëse mund të shërbeni në përputhje me rrethanat, do të admiroheni nga të ftuarit. Por nëse lufta dhe agresioni kundër Ukrainës, e cila ende nuk është dënuar nga Kina vazhdon, hapësira e Republikës Popullore do të ngushtohet dhe shanset e Xi për të realizuar ëndrrën e tij për një sundim të pakufizuar dhe të përjetshëm do të ulen.
Prandaj, Pekini duhet të veprojë. Xi duhet të ndërmjetësojë në konflikt në mënyrë që Kina të mos ndjejë edhe më shumë efektet e tij. Ai dhe lidershipi i tij duan të shmangin me çdo kusht një konfrontim të drejtpërdrejtë me Shtetet e Bashkuara. Sepse Republika Popullore do të humbiste luftën kundër SHBA-së, në të cilën Kremlini mund të përfshijë edhe Pekinin./DW/