Është në interes të Bashkimit Evropian që konsensusi për “Planin evropian” si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, të ishte më i gjerë. Andaj i deleguari special i BE-së për çështjen Kosovë – Serbi Mirolsav Lajçak, duhet të takohet edhe me opozitën serbe, thonë analistët serbë në Beograd, transmeton Fol Drejt.
Lajçak sot do të takohet me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, ndërsa pasdite edhe me të ashtuquajturën opozitë pro-evropiane.
Sofija Popoviq, gazetare e portalit European Western Balkans, thotë për Danas se nuk është befasi fakti që Lajçak po takohet edhe me opozitën, duke qenë se në Prishtinë përveç pushtetit është takuar edhe me aktorë të opozitës.
“Ai e njoftoi opozitën në Kosovë me propozimin evropian gjatë negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, diçka që do të jetë temë edhe në takimin me opozitën serbe, e cila në agjendën e saj politike e ka anëtarësimin e Serbisë në BE”, thekson ajo.
Siç shton ajo, të gjitha partitë opozitare që kanë në agjendën e tyre politike anëtarësimin e Serbisë në BE dhe të cilat janë ftuar në takim, kanë shprehur pak a shumë skepticizëm ndaj propozimit evropian në periudhën e kaluar.
“Ndërsa një pjesë e opozitës fokusohet më shumë në lëvizjet e gabuara të mazhorancës qeverisëse dhe presidentit të Serbisë dhe nuk është domosdoshmërisht kundër propozimit evropian, disa prej tyre, si Partia Popullore, kanë thënë qartë se janë kundër propozimit evropian. Është në interes të BE-së që konsensusi rreth planit evropian si në Kosovë ashtu edhe në Serbi të jetë sa më i gjerë. Ky nuk është rasti për momentin dhe Vuçiq dhe Kurti kanë treguar edhe një herë se nuk kanë vullnet të sinqertë për të ndërtuar një konsensus rreth proceseve të rëndësishme në dialog. Ka ende një shkallë të madhe mosbesimi mes opozitës dhe negociatorëve kryesorë, dhe përshtypja ime është se takimet e Lajçakut me opozitën synojnë të zvogëlojnë sadopak këtë hendek” – citohet të ketë thënë Popoviq.
Dhe Dushan Lj. Milenkoviq, një nga themeluesit e Qendrës për Dialog Social dhe Iniciativa Rajonale, kujton se ky nuk është takimi i tij i parë me opozitën dhe është një praktikë e mirë.
“Sidomos duke pasur parasysh se ndërmjetësuesit evropianë në këtë dialog më herët e vlerësonin opozitën në Kosovë shumë më tepër si bashkëbisedues relevant dhe Lajçak këtë e prezantoi edhe në Serbi. Megjithatë, mendoj se është e rëndësishme që ai të takohet edhe me opozitën që është kundër marrëveshjes, sepse në Kosovë ai u takua edhe me opozitën që përdor marrëveshjen për të sulmuar Kurtin për gjithçka që bën, në mënyrë që të mos japë mbështetje boshe për marrëveshje” – përfundon ai./FolDrejt/