Pas ankesave të pranuara nga qytetarët se në Komunën e Mitrovicës dhe në Komunën e Vushtrrisë është ndërprerë dhënia e infuzioneve në nivelin e Kujdesit Parësor Shëndetësor (KPSh), Inspektorati Shëndetësor ka realizuar inspektime specifike në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Mitrovicë dhe QKMF në Vushtrri.
Gjatë inspektimeve, nga stafi udhëheqës është kërkuar që të respektohet ligji në fuqi, Udhëzimi Administrativ UA 04/2020 dhe rregulloret të cilat obligojnë institucionet e kujdesit parësor shëndetësor që të ofrojnë trajtimin ditor me infuzione, përcjell Fol Drejt.
Sipas raportit, përderisa në Komunën e Vushtrrisë kjo terapi është dhënë kryesisht por ka munguar me raste, në QKMF në Mitrovicë është konstatuar se nuk është vepruar sipas ligjit në fuqi i cili ua siguron qytetarëve edhe shërbimet intravenoze nën mbikëqyrjen e mjekut familjar.
Udhëheqësit e QKMF-ve në të dy komunat janë urdhëruar që konform legjislacionit në fuqi të rifillojë shërbimi i dhënies së infuzioneve që qytetarët të kenë mundësi të shfrytëzojnë këto shërbime shëndetësore.
“Aksionet e Inspektoratit Shëndetësor do të vazhdojnë do të ndërmerren masa të pakopromis ndaj çdo institucioni i cili nuk i respekton ligjet në fuqi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë./FolDrejt/