Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale, mëngjesin e së mërkurës ka filluar kontrollin në 12 lokacione të ndryshme, me qëllim të sigurimit të provave.
Këtë e ka bërë të ditur PSRK-ja përmes një njoftimi për media, duke thënë se kontrolli është realizuar në pronat e të dyshuarave H.H, V.M, D.K, L.M, XH.L, A.J, G.SH, B.P, A.M, B.B dhe D.B. të cilët në cilësinë e personave zyrtar, dyshohet se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Lidhja e kontratës së dëmshme” dhe “Mashtrimi”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Gjithashtu, ekziston dyshimi i arsyeshëm se është keqpërdor detyra zyrtare, nga zyrtarët e përfshirë në këtë proces, nga faktet se si janë zhvilluar procedurat e përshpejtuara për ndërtimin e katër objekteve afariste dhe banesore, vlera e të cilave kalon njëqindenjëzet milion (120.000.000) euro”, thuhet në komunikatën për media.
Tutje bëhet e ditur se gjatë zbatimit të urdhër-kontrollit në 12 lokacione të ndryshme, janë sekuestruar prova materiale të cilat thuhet se do të jenë të rëndësishme për procedurë të mëtutjeshme hetimore.
Provat e sekuestruara janë 17 dosje dhe dokumente që ndërlidhen me rastin, gjashtë laptopë, dy shtëpiza, 11 telefona, dy sim card dhe gjashtë usb.
Ndryshe, më herët sot Policia e Kosovës ka bërë të ditur se po zhvillon një operacion policor, nën dyshimin për keqpërdorime në Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB). /BetimipërDrejtësi/