Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndaj D.M., i cili u arrestua më 21 qershor në Graçanicë, nën dyshimin për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë periudhës së luftës në Kosovë (1998-1999).
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, zyrtarja e PSRK-së, Liridona Kozmaqi.
Ndryshe, Policia e Kosovës (PK) të mërkurën njoftoi se D.M., dyshohet se në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë, në cilësi të gardianëve të burgut në Prishtinë dhe Lipjan, në mënyrë sistematike kanë ushtruar torturë, dhunë fizike, psiqike, keqtrajtime e maltretime çnjerëzore.
“Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës (DHKL), në bashkëpunim dhe me autorizim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka zhvilluar hetime lidhur me krimet e kryera gjatë periudhës së luftës në Kosovë (1998-1999), ku përmes rrugëve hetimore-operative ka pranuar informacion për të dyshuarin mashkull kosovar serb me iniciale (D. M.) si pjesëmarrës në këto krime. Ndaj të njëjtit janë siguruar prova për ekzistimin e dyshimit të arsyeshëm se në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë në cilësi të personave zyrtar (gardian të burgut) në Prishtinë dhe në paralelen e ndarë nga Prishtina konkretisht në burgun e Lipjanit, në mënyrë sistematike, dyshohet se kanë ushtruar torturë, dhunë fizike, psikike, keqtrajtime dhe maltretime çnjerëzore dhe të skajshme për jetën ndaj të burgosurve shqiptarë”, thuhet në njoftim. /BetimipërDrejtësi/
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.