Janë publikuar deklarata të ushtarëve rusë, të cilët bisedojnë mes vete, përderisa janë të kapur si robër lufte nga forcat ukrainase.
Dhjetëra deklarata të tilla janë publikuar në një konferencë për media, të thirrur nga autoritetet e Ukrainës. Janë rreth 600 rusë që tani janë të mbajtur në burgjet e Ukrainës.
“Dua t’i them komandantit tonë që ta ndalë terrorin në Ukrainë, sepse kur të kthehemi do t’i kundërvihemi”, thotë njëri prej ushtarëve.
Një tjetër ushtar e akuzon presidentin rus, Vladimir Putin për kryerje të krimeve.
“Ai ka dhënë urdhra për të kryer krime. Nuk është kjo për ta demilitarizuar Ukrainën apo për ta mundur Forcën e Armatosur të Ukrainës. Tani, qytetet e banorëve paqësorë po shkatërrohen”, ka thënë tjetri.
“Për krimet që po i kryejmë, të gjithë ne do të gjykohemi”, ka theksuar ai.
CNN shkruan se ekspozimi i tyre publik mund të jetë i dënueshëm, pasi që Konventa e Gjenevës ndalon turpërimin e panevojshëm të të burgosurve të luftës. Sipas medias, është e mundur që ata të ndihen në presion dhe të shfaqin simpati për kapësit.
Megjithatë, CNN ka raportuar se tre pilotë të forcave të armatosura ruse kanë folur për televizionin dhe ata nuk kanë dhënë indikacione se janë nën ndonjë presioN.